Komisioni i Prokurimit të Publik dhe Ujësjellësi i Gjirokastrës janë përfshirë në sherr për një tender me vlerë 1.4 milionë euro. Arsyeja e përplasjes është se secila palë kërkon të shpallë vetë fituesin e tenderit.
Procedura e prokurimit për furnizimin me ujë të fshatrave Picar dhe Kolonjë në Bashkinë Gjirokastër u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar. Në tender garuan 14 konkurrentë, por Ujësjellësi i Gjirokastrës skualifikoi 12 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues kompaninë Ed Konstruksion, e cila kishte ofertën e dytë më të lartë nga 14 pjesëmarrësit me 1.2 milionë euro.

Ofertat ne tenderin 1.4 mln euro
Shpallja e fituesit u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike nga kompania Liqeni VII, e cila renditej në vendin e 10 për nga çmimi duke ofruar vlerën 1.13 milionë euro. Ujësjellësi i Gjirokastrës e kishte skualifikuar kompaninë Liqeni me arsyetimin se në ofertën e paraqitur kishte bërë përllogaritje gabim, duke i llogaritur pajisjet e preventivit me TVSH.
KPP vlerësoi se kjo nuk ishte e paligjshme, përkundrazi përllogaritja pa TVSH do të kishte qenë e tillë. Si rezultat, KPP vendosi të urdhërojë Ujësjellësin e Gjirokastrës që të kualifikojë kompaninë Liqeni VII duke e shpallur kështu automatikisht fituese atë.
Por pas vendimit të KPP-së, Ujësjellësi i Gjirokastrës ka bërë rivlerësim për të gjitha ofertat që ishin skualifikuar për të njëjtën arsye, atë se kishin përllogaritur pajisjet e preventivit me TVSH.
Në tender ishin paraqitur 9 oferta me çmim më të ulët se sa ai i Liqenit VII, një pjesë e të cilave ishin skualifikuar me të njëjtën arsye si Liqeni VII, pra atë të TVSH.
Rrjedhimisht nga rivlerësimi u kualifikuan edhe kompanitë Hastoçi dhe Zdrava. Kjo e fundit, duke qenë se kishte ofertë 100 mijë euro më të ulët se Liqeni VII shpallej automatikisht fituese.
Por pas rivlerësimit të Ujësjellësit ka ndërhyrë sërish KPP duke pezulluar tenderin si dhe duke urdhëruar Ujësjellësin, që të skualifikonte Hastoçin dhe Zdravan dhe të shpallë fitues atë që kishte vendosur KPP, pra kompaninë Liqeni VII.

KPP pranon vetem kompanine Liqeni VII
Ndonëse sipas ligjit, KPP është organi më i lartë vendimarrës për kontratat publike, përplasja për tenderin 1.4 milionë euro të furnizimit me ujë të fshatrave Picar dhe Kolonjë, duket një sherr çakenjsh se kush do të shpallë fituesin e kontratës së majme.
Ujësjellësi i Gjirokastrës preferonte të shpallte fitues Ed Konstruksion, një kompani manare dhe e preferuar fort për pazare në AKUK, edhe pse kjo kishte ofertën e dytë më të lartë në 14 garuesit.
Por KPP me sa duket preferon që pazarin ta bëjë vetë dhe jo AKUK. Nëse vendimi i KPP-së, që cilëson se përllogaritja e pajisjeve të preventivit me TVSH është ligjore, do të zbatohej për të gjithë ofertuesit, atëherë kontrata normalisht duhet t’i shkonte Hastoçit. Por KPP thotë që vendimi të zbatohet vetëm për kompaninë Liqeni VII. Punë cakenjsh që vendosin se ku duhet të shkojnë paratë./kapitali







