Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit, Diasporës Ina Zhupa, ka akuzuar ministrin Blendi Gonxhja se po shmang përgjegjësinë për çështjen e Gjirit të Manastirit, duke pretenduar se ai ka dijeni për zbulimet arkeologjike dhe manipulimet e raportuara.
Zhupa thekson me video kur ajo vetë në shtator 2024 ja ka paraqitur këto fakte ministrit, ndërsa ngre dyshime se heshtja e tij lidhet me mbrojtjen e ish-ministres Mirela Kumbaro, duke paralajmëruar llogaridhënie ligjore për dëmet ndaj trashëgimisë kulturore.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Ministri Blendi Gonxhja, sot në konferencën për gazetarët, mes heshtjes, mohimeve dhe pseudopadijes së shumtë, u përpoq të bëjë edhe të paditurin për zbulimet arkeologjike dhe manipulimet e kryera për realizimin e “pikës së vogël” të Kumbaros, në kompleksin e vilave të Gjirit të Manastirit.
Janë dhjetëra deklarata të miat, në Kuvend, në interpelancë dhe në komision, si dhe prononcime live nga Gjiri i Manastirit me pamje me dron, të cilat Gonxhja “nuk i ka parë” ndër vite, por që media mund t’i verifikojë lehtësisht.
Më poshtë mund të ndiqni videon me pyetjen e drejtpërdrejtë drejtuar Blendi Gonxhes, kur ishte ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pikërisht për Gjirin e Manastirit dhe raportin mbi gjetjet arkeologjike. Pra, ai ka dijeni për këtë, sepse unë ia kam thënë sy më sy.
Vallë vuan nga amnezia Gonxhja? Apo hesht për të mbrojtur kolegen Kumbaro dhe bashkëpunëtorët e saj?
Me trashëgiminë kulturore në këtë vend është bërë krim. Ndërrimi i ministrive të Kumbaros nuk do shpëtojë dot nga llogaridhënia para ligjit për krime mjedisore dhe kulturore.







