Arbër Hoxha shënoi golin e vetëm për Kombëtaren shqiptare në ndeshjen e “play-off” përballë Polonisë, të cilën polakët e fituan 2-1.
Pavarësisht se ai gol nuk ndihmoi që sfida të fitohej, mesa duket i ka dhënë një dorë karrierës së Hoxhës.
Në Poloni po flasin për një transferim të bujshëm të sulmuesit kuqezi te Widzew Lodz. Sipas medias polake “meczyki.pl”, klubi ku aktivizohet edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Juljan Shehu, është gati që të paguajë miliona për Hoxhën.
Sipas mediumit të mësipërm ky cilësohet si një “transferim i jashtëzakonshëm”, duke vënë në dukje edhe golat e asistet e shqiptarit me Dinamo Zagreb, ekip ku aktizohet momentalisht.
Raportohet se klubi polak dhe ai nga Zagrebi kanë biseduar për një transferim të mundshëm. Widzew Lodz është gati të shpenzojë 5 milionë euro, teksa tashmë i mbetet Dinamos së Zagrebit që të vendosë, nëse do ta pranojë ofertën apo jo.







