Në Tiranë u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e 32-të të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, një moment kyç për reflektimin mbi vitin e shkuar dhe përcaktimin e drejtimit strategjik të lëvizjes olimpike në Shqipëri.
Në punimet e asamblesë ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.
Në fjalën e tij Gonxhja tha se për vitin 2026 sporti është mbështetur me rreth 185.5 milionë lekë për 18 federata olimpike dhe 45.2 milionë lekë për 16 federata jo-olimpike, si dhe me financime për projekte strategjike dhe zhvillimin e sportit gjithëpërfshirës.
“Paralelisht, programi “Ekipet Sportive në Shkolla” është zgjeruar duke përfshirë rreth 11,000 nxënës në 293 shkolla, me 826 ekipe dhe 430 trajnerë”, theksoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “investimet në infrastrukturë dhe organizimi i eventeve ndërkombëtare po forcojnë më tej bazat për një zhvillim të qëndrueshëm dhe rezultate afatgjata të sportit shqiptar”.
Presidenti i KOKSH Fidel Ylli paraqiti një analizë të plotë të punës gjatë vitit 2025, duke evidentuar arritje të rëndësishme të sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare, rritjen e rolit të Shqipërisë në diplomacinë sportive, si dhe përkushtimin për të zgjeruar bazën e sportit në vend.
Ylli vlerësoi gjithashtu rolin e federatave sportive dhe presidentëve të tyre, duke theksuar se rezultatet e arritura janë fryt i bashkëpunimit, profesionalizmit dhe përkushtimit të përbashkët për zhvillimin e sportit shqiptar.
Në këtë aktivitet u ndanë edhe Urdhrat Olimpikë për 6 figura të shquara të sportit shqiptar: Nikolin Dionisi, Hektor Shaqiri, Gëzim Zeneli, Sabri Bejleri, Liljana Bejleri, Hysen Omi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndër vite si sportistë, trajnerë dhe drejtues.







