Ballina Opinion Makineri balte, shpifjesh, intimidimesh e shantazhesh

Makineri balte, shpifjesh, intimidimesh e shantazhesh

66
0

Nga Ardi Stefa

Në politikë ka figura që ndërtojnë narrativa.
Ka të tjera që ndërtojnë mjegull e frikë.

Një politikan i lartë, prej dekadash, duket se ka zgjedhur këtë të dytën si strategji mbijetese. Jo përmes ideve, debatit e alternativës, por përmes baltës, shpifjes, intimidimit dhe shantazhit.

Sa herë që realiteti bëhet i pakëndshëm për të, ndizet mtotori.

Fillon një seri akuzash pa prova, sulmesh personale, etiketimesh të qëllimshme, mesazesh të qytetarit digjital, emigrantit digjital, nëpunësit digjital, policit digjital, etj, etj.

Kundërshtari trajtohet nga ai si armik që duhet delegjitimuar me çdo kusht dhe jo si rival politik.

S’ka rëndësi e vërteta; rëndësi ka zhurma që mbyt e zhduk çdo diskutim racional.

Nuk është thjesht retorikë e ashpër politike. Është një kulturë që ushqehet me frikë, shpërqëndrim e rrëmujë.

Intimidimi bëhet mjet: kush nuk është me të, është kundër tij dhe si i tillë duhet goditur publikisht. Kush nuk është me të shtë armik dhe i shitur.
Në paranojën e vet shantazhi bëhet instrument: dosje të vjetra, insinuata, kërcënime të nënkuptuara. Kush nuk flet e sillet si ai nuk ka të ardhme me të. Kush nuk e tund belin me këngën e tij ka probabilitetin të hyjë në listën e armiqve…

Politikë që nuk prodhon besim, por pasiguri.

Në një shoqëri që aspiron standarde europiane, kjo qasje është jo vetëm e vjetëruar, por edhe e dëmshme.

Ajo e zhvendos debatin nga politikat te personat, nga programet te skandalet e fabrikuara. Në vend që të diskutojmë për arsimin, ekonominë, drejtësinë, mbetemi të mbërthyer në ciklin e pafund të akuzave dhe kundërakuzave. (Më tha mua; i thashë tij. Filani me tre, pesë miemra dhe dhjetë dënime.)

Paradoksi është se kjo “makineri balte” funksionon vetëm në një terren të lodhur, ku qytetarët janë mësuar me konfliktin dhe e kanë ulur pritshmërinë ndaj politikës.

Por çdo cikël i tillë e konsumon edhe më shumë besimin publik. Një demokraci pa besim është thjesht një skenë zhurmash pa përmbajtje dhe një garë se kush shpif më fort, jo kush ofron më shumë.

Balta, shpifja e intimidmi mund të njollosin dikë përkohësisht, por nuk mund të mbajnë peng përjetësisht një shoqëri të tërë, sepse balta nuk ndërton asgjë të qëndrueshme për t’i reistuar kohës.

Një vend dhe as e ardhmja e atij vendi dhe e qytetarëve të tij nuk ndërtohen mbi shpifje. Ndërtohen kur merr përgjegjësi.