Ballina Sport Tre vite në krye të Shqipërisë, a përfundoi cikli i Sylvinho-s?

Tre vite në krye të Shqipërisë, a përfundoi cikli i Sylvinho-s?

72
0

Për fat të keq, ëndrra Botëror u shua përfundimisht në Varshavë, një përfundim i hidhur, kjo pasi Polonia nuk ishte një mision i pamundur, këtë e vërtetoi edhe fusha, por detajet, zgjedhjet dhe forma jo e mirë e disa legjionarëve bëri që Shqipëria të ndalej në fazën “play-off”. Ky takim zgjoi edhe një herë diskutimin në lidhje me të ardhmen e Sylvinho-s, i pari i përfunduar nën akuzë.

Pas ndeshjes, Sylvinho dribloi në lidhje me të ardhmen e tij, duke theksuar se është nën kontratë deri në korrik. Sigurisht, pas përfundimit të miqësores ndaj Ukrainës, FSHF dhe Sylvinho do të ulen sërish në tavolinë për të diskutuar në lidhje me të ardhmen. Nga Polonia te Polonia, në këto 3 vite, tekniku brazilian ka meritë të pa diskutuar pasi dërgoi Shqipërinë në Evropian, por dhe për herë të parë në fazën “play-off” të një Botërori.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, por fakt është gjithashtu që me Sylvinho-n në stol mbyllën Ligën e Kombeve në vendin e fundit duke rënë një Ligë më poshtë. Gjithashtu, këtë periudhë, mbi Sylvinho-n rëndojnë shumë disa zgjedhje, mënyra e leximit të lojës dhe shumë detaje të tjera që nuk japin garanci për të ardhmen.

Tani është koha që Duka dhe pjesa tjetër e stafit të FSHF-së të marrin një vendim në lidhje me të ardhmen e Sylvinho-s, kjo pasi në shtator starton fushata kualifikuese në Ligën e Kombeve, një kompeticion që FSHF është e detyruar ta nis me një trajner të ri, për të mos bërë të njëjtin gatim ashtu siç bënë në kohën e Edy Reja-s duke detyruar Sylvinho që ndeshjen e parë në krye të ekipit përfaqësues ta zhvillonte ndaj Polonisë në një ndeshje zyrtare për kualifikueset e Evropianit pa i dhënë mundësinë të njihte grupin që kishte në dispozicion.