22 persona që shpresonin të arrinin në Evropë nga Afrika e Veriut kanë vdekur në brigjet e Greqisë pas gjashtë ditësh në det në një varkë gome. Roja bregdetare tha të premten se 26 persona, përfshirë një grua dhe një i mitur, u shpëtuan nga një anije e agjencisë kufitare evropiane pranë ishullit të Kretës.
Roja bregdetare shtoi se 21 shtetas nga Bangladeshi, katër nga Sudani i Jugut dhe një nga Çadi kishin mbijetuar.
Të mbijetuarit thanë se trupat e atyre që kishin vdekur u hodhën në detin Mesdhe. Dy të mbijetuar u dërguan në spital në Heraklion të Kretës.
Bazuar në deklaratat e të mbijetuarve, roja bregdetare tha se varka ishte nisur nga Tobruku, një qytet port në Libinë lindore , më 21 mars. Varka ishte nisur për në Greqi, porta hyrëse për shumë njerëz që shpresojnë për azil në BE.
Autoritetet greke kanë arrestuar dy burra nga Sudani i Jugut, 19 dhe 22 vjeç, të cilët besohet se janë kontrabandistët. Ata janë tani nën hetim për “hyrje të paligjshme në vend” dhe “vrasje nga pakujdesia”.
Numri i njerëzve që kanë vdekur duke u përpjekur të arrijnë në tokën evropiane është më shumë se dyfishuar në dy muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin , 559 persona vdiqën në Mesdhe gjatë janarit dhe shkurtit, krahasuar me 287 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.







