Nga Lutfi Dervishi
“Punët për Shqipërinë” dhe “punët për shqiptarët” mund të ngjajnë si e njëjta gjë, por në të vërtetë janë dy realitete që shpesh nuk puqen.
Shqipëria si natyrë është një vepër e kryer. Natyra këtu nuk ka kursyer asgjë; ka qenë bujare deri në tepri. Na ka vendosur në një udhëkryq strategjik, na ka rrethuar me male që të mbrojnë nga bota e dete që të ftojnë për të parë botën. Kemi fusha pjellore, ujë që rrjedh pafund dhe një diell që shumë popuj do ta kërkonin me flori. Nuk mund të kërkosh me shumë për një vend.
Pyetja nuk është: “çfarë i mungon (nën)tokës së Shqipërisë?” Pyetja që djeg është: “çfarë i mungon shqiptarit që jeton mbi këtë dhé?”
Sepse, ndërsa tv/fb/instagran përmbytet me projekte 3D plot ngjyra dhe vezullime, vendi përballet me një tjetër “3D” atë të vërtetën, atë që po na zbraz shtëpitë: Demografia, Demokracia, Development (Zhvillimi).
Shqipëria po zbrazet dhe po PLAKET. Nuk po humbasim vetëm njerëzit, por edhe energjinë që mban gjallë një vend.
Vendi nuk bën dot as rotacion pushteti as rotacion elitash. Tashmë edhe zgjedhjet i bën formale.
Peizazhi nuk ngroh shtëpinë kur vjen dimri. Rrezet e diellit nuk e rrisin rrogën që nuk del deri në fund të muajit. Bukuria e maleve nuk e zëvendëson dot një shkollë të mirë apo një spital modern. Rrjedha dhe energjia e lumenjve nuk e bëjnë drejtësinë as me të pastër as më efikase.
Dëshira për t’u larguar nga vendi nuk ulet se po rritet numri i turistëve.
Problemet që kemi nuk na kanë ardhur as nga lart e as nga larg.
Janë “dhuratë” njerëzish. Janë vendime të marra në tavolina, janë prioritete të zgjedhura me vetëdije dhe janë përgjegjësi që nuk mund t’u iket.
Është e dhimbshme të shohësh sesi për “Shqipërinë si kartolinë” kemi gjithçka, ndërsa për “shqiptarin si qytetar” flasim për minimumin e mbijetesë. “Shifrat i kemi në dorë dhe në më çfarë ta duam, por faktet nuk i fshehim dot”
Zoti e bëri Shqipërinë parajsë.
Por janë njerëzit ata që po e bëjnë të pajetueshme për njerëzit.
Sfida sot nuk është të shtojmë tulla të reja në projekte virtuale, por të kthejmë dinjitetin te njeriu, që Shqipëria të mos jetë thjesht një vend i bukur për t’u vizituar, por një shtëpi ku ia vlen të rritesh e të plakesh.







