Gazeta e njohur austriake ‘Der Standard’ publikoi një analizë të gazetares së njohur Adelheid Woelfl në lidhje me situatën e integrimit të rajonit tonë në BE.
Gazetarja thekson se ka një dallim të madh mes aspiratave dhe realitetit.
Ndërkohë sipas saj, Mali i Zi është në pararojë sa i përket integrimit, por sërish gjërat nuk janë aq rozë.
Duke u ndalur tek Shqipëria, gazeta nënvizon se Edi Rama po e largon Shqipërinë nga BE pas vendimit për të mbrojtur Belinda Ballukun.
Gazetarja shkruan se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç nuk e duan sundimin e ligjit, demokracinë, transparencën dhe ndarjen e pushteteve.
“Në Francë nevojitet madje një referendum para se Mali i Zi të mund të bëhet anëtar i BE-së. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk e pëlqen aspak faktin që shteti i vogël fqinj, Mali i Zi, mund të hyjë në BE, ndërsa Serbia jo.
Së bashku me mikun e tij, kryeministrin shqiptar Edi Rama, ai shpërndau së fundmi në një shkrim në Frankfurter Allgemeine Zeitung idenë se shtetet e Ballkanit duhet të hyjnë vetëm në tregun e brendshëm dhe të heqin dorë nga të drejtat e vetos.
Një “integrim gradual” i tillë mund të bëhej edhe tani.
Por edhe për tregun e përbashkët duhet një sistem gjyqësor funksional dhe sundim i ligjit. Serbia, megjithatë, nën Vuçiç është më larg se çdo vend kandidat tjetër nga këto kritere. Vetëm në shkurt, në Beograd u miratuan ligje që dobësojnë më tej pavarësinë e gjyqësorit.
Shkrimi i përbashkët e bëri të qartë se as Vučiç dhe as Rama nuk duan transparencë, demokraci, ndarjen e pushteteve dhe sundim ligji.
Në mes të marsit, Rama me Partinë e tij Socialiste pengoi në parlament heqjen e imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e konsideruar si krahu i tij i djathtë, për shkak të akuza për korrupsion.
Ky veprim jo vetëm që minoi Autoritetin Anti-Korrupsion SPAK, i cili gëzon reputacion të lartë te populli, por edhe largoi më shumë perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi së fundmi idenë e një “zgjerimi të kundërt”. Sipas saj, qeveria amerikane dëshiron që Ukraina të pranojë të heqë dorë nga disa territore, në këmbim të pranimit si anëtare e BE-së pa plotësuar menjëherë të gjitha kushtet. Ky plan lidhet me një “marrëveshje paqeje” të mundshme me Rusinë.
Megjithatë, Von der Leyen u tërhoq, pasi shtetet e BE-së insistonin në një proces bazuar në meritat. Së pari duhet të mbarojë lufta, të rindërtohet infrastruktura – dhe më pas mund të flitet për anëtarësim në BE,” shkruan gazetarja.







