Ballina Opinion Kronika emocionohet nga thagmat gjatë Pashkës!

Kronika emocionohet nga thagmat gjatë Pashkës!

77
0

Nga Agron Gjekmarkaj 

E çdo të ishte qejfi ynë pa Tezen ?! Hiçmosgjë do të qe! Do gdhiheshim si qyqarë e do erreshim si derdimenë ! Ajo na kthen misterin e kohës, gëzimin e së qeshurës, pikëllimin e nënshtrimit, të cilin nuk e di pse, duke lexuar Kronikën, kopjuesi i njohur, robi i humbur Abdullah, e lexoi mashtrim, shpresën e përjetësisë!
Tezja ditën e Pashkëve na uroi Krishtlindjen !!!
Disa ia dhanë kukurimës e hokave se gjasme ajo paskësh roitur e lëshuar pëllumbat, por nuk na duket kështu !
Ajo e ka bërë me dashje, që Babo të qeshë në këto ditë të ngrysura dhe të mos ketë asnjë dyshim për peshëlehtësinë e mendjes së saj, mjet ky për ta mbajtur sa më gjatë karrigen, bashkë me cilësi të tjera të vyera!
Se ca kohë hapën fjalë se gjoja qenkesh e vetmja ish intelektuale në një qeveri me dordomuzë dhe kjo i prishte shumë punë, ndaj shpejtoi të shuante çdo dyshim !! Ia doli e uruara!
Për këtë gjest mori lëvdatat e Termesë, i cili do t’i vjershërojë në ribotimin e “Viseve të Trëndelinës”, bekimet fetaro-gracioze të Tonit, dhimbjen e nuk e di nga ç’sokak Ditmarit si shok i sekreteve e zemërndjeshëm! Damua nënqeshi nën hundë dhe diçka fshihte nën dorë.

Vetëm Ulësia zgërdhihej me ligësi verdho-kaltëruese, si për të na thënë e shihni more, na plaçin sytë, ku kemi mbërritur ?!!!

Tao, në gjoksin e të cilit Babua var një sërë xhingla-minglash llamarino-kartoni, mjaft që ta lërë jashtë Dovletit, e ka shpallur veten drejtues i Tiranës, Kont i Çermenikës, shenjtor i Kombëtares, bard i Mokrës, zëdhënës i diasporës,, mejtoi të shfaqej andej nga Kamza bashkë me Kipe Sulin dhe t’i nxirrte nga prapambetja drejt e në selamet! Aferim!

Madje, për të përgënjeshtruar pandehmën se Babua nuk i honeps fshatarët, u shfaqën të dy tok, veshur tebdil, plot zulme e potere!

Fliste Tao dhe Kipja i buzëqeshte kamerës ëmbël, nga pas si firaun!

Jemi që jemi, thanë, të bëjmë pak muhabet me Anxhela Merkelin, se helbete kallkan andej nga Nemcje e ndien vetmi !
Me bujarinë që e karakterizon nga fejsbuku i vet, se Anxhela një-dy Taon lexon që me sabah, e pyeti si është me shendet, a e therrin kyçet nga lagështira, e je qe je si e ngeshme, eja nga Kamza, yndyra e Europës, që po shkëlqen me shume se Berlini. Me fteseën e tij dhe të Kipes që do mbuloje harxhet, pastaj u kujtuan në fund edhe për Babon si përforcim e solemnitet, se po i doli nge të pret ay, po ti eja! Lamellari, edhe pse i metë, ministër, Tao hyzmeqar mbeti! Madje dhe Toni e sheh nga lart tanimë ! Pirdeni kishte pyetur kush është ky xhaxhua qe bën si i rëndësishëm?!

Po kaq, si zogu që me sqep çukit dhe thyen vezën dhe përvidhet në lendinë, ashtu vetë Festimi, Veziri i Jashtëm. u shfaq në një televizion !

Qerratai, ndonëse fliste si i lebetitur e me spazma që zgjateshin e tëholloheshin në hukama, shfaqej si delirant i madh, aq sa para tij Mbreti Diell do të dukej axhami , zullap e piskuriq!!
Unë …unë e hapi….unë …unë. e vazhdoi…. unë more unë e mbylli , 36 vite diplomaci i bëri qepaze se ato të dikaturës e të Zogut nuk vihen në hesap!
Eh te zinjte ambasadorë që e kanë patur koleg ç’do heqin, se Festimua e shfaqi veten kadi e shkuar kadiut, gjykatës suprem si biçim Tajerani e Kisingeri i diplomacisë !

Nuk tha kot Bajroni “nuk ka padron më të keq se një skllav të liruar nga zinxhirët” dhe Festimi, në çdo ndërrim pushteti rrëfejnë se u ngjitej fituesve, duke u thenë shyqyr që erdhët ju se isha bërë gati të vrisja veten nga ky obskurantizën, tani si , sublim, unik, si i drejti, i duhuri, zanatçiu, mjeshtri, sqimatari, pa ligj e rregulla, po veç me shijet e veta prej dendi, do i prekë me dorë si bujku shalqinin e do ju thoka diplomatëve -ti bën – ti nuk bën- ti je i pjekur, ti je i pa pjekur – pastaj do dilka vetë në tregun e gjesë së gjallë e do blika çi nevojitet , zahire, bulmet, putarga, saraga, mish thiu gjithçka i duhet një diplomacie alla frengu me tanuz!

Eh more Festim, siç erdhe pa e kuptuar, do ikësh po ashtu, pak më i tronditur nga befasia!

Babua, i cili me modestinë që ai e ka çmoskurrkush, u shpreh se veç me Kadarenë, të cilit per qamet nuk po ia ndërton varrin e premtuar, tha se ndihej i barabartë në lëvrimin e shqipes, te tjerët as i begenis, i duken leshko e birbo, ty të ka me pak se një qime aty ku nuk thuhet, se ndukjet mbase i ka si zët !

Braçja që e do Taon, Xhafen e Sokratin, po më shumë do të vërtetën, e do edhe Ogin po më shumë veten, në një konfuzion biblik mes dëshirës dhe pasigurisë, krenarisë dhe rrezikut, po këlthet për rreziqet e autoritarizmit ! Braçja i vogël kunder Babos së madh ! Davidi kundër Golisë!
Yy, t’u thaftë goja na qenkesh Babua autoritar, rri more i uruar se me ato duar do të të rrjepë Antoneta Dhima, si Kryezevendës Lideri Flamur – Taon e do të pjekë Zeniqeja në hell, qe mishi yt të piqet e helli i Partisë të mos digjet !!! Evis Kushit duhma do i japë pështjellim!

Uf, bëëërrrr, si do i ngjethen mishtë Jorushit te Tabakëve kur do të shohë ashtu për ibret e hukubet, tek t’i le amanetin, aman piqmëni mirë së paku! Dhimbja do e kryqëzojë te gjithën brenda një kostumi te sapo blerë!

Mamica, tashmë pa fron e kishë, të rrëmbyera nga vëllai -Skenderbeu , ne atë furi epike, ka filluar palestrën e realitetit ! Rrobat arbërore ia dogji në një zjarr ideologjik ministrja e re, zonja Qefsere!
Faqet po i vijnë në fe se s’ka kush ia cimbis! Zërat se po na e merr Albin Kurti e do na lërë jetim e batall, janë shtuar !!!
Shyqyr qe s’e di Nallbati se na mbyll doganën e Morinës e bëhet hataja mes shqiptarësh, një zezonë kombëtare!
Ata që vijnë me tirq ,plisa e tupan, për ta marrë me fustanella e xhoka e sfurq, për të mos e dhënë!
Pakogjë qe ajo e Helenës së Trojes para kësaj gjëme!
Nufi do nxjerrë tanket në Krumë e Has , raketat mbi Gjalicë!
Kronika do vajtojë, si Ajkuna Omerin për boshin qe do t’i lërë. Bora do trishtohet që aman Zot mos na ver në provë!
Etilda do pikellohet lehte!
Salianji do kërkojë Qeveri të Unitetit kombëtar, për të perballuar gjëmën! Bela do urojë vaftë e mos u ktheftë! Ajo: u kthefsha e mos të gjetça! Nikua mejtohej ehhh sa mirë qe ajo Republika e Korçës , e vogël, por e mbledhur nën frëngjët, aty të bëhesha kryetar e merrja dhe Kostaqnë, i pandarë dhe i pandashëm, si Makiaveli! Ç’më duhen mua kaq avaze e maraze, mes Belës e Mamicës, si Odiseu mes Shiles e Karibdës! Prandaj, duku, mos vono, Kostaq!