Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një diskutim me studentë dhe të rinj në Durrës, duke folur për rolin e tyre në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mundësitë që ky proces sjell.
Përmes një postimi në rrjete sociale Hoxha theksoi se ky takim konfirmoi edhe një herë se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pandashme nga energjia, vizioni dhe angazhimi i të rinjve.
Sipas tij kjo është një garanci e fortë për një të ardhme europiane dhe të pakthyeshme për vendin tonë.
“Turi ynë nëpër Shqipëri: “BE dhe Ti: Europa Fillon Këtu” vazhdon, dhe diskutimet e shkëmbimet me të rinjtë janë gjithnjë e më interesante.
Sot, së bashku me kolegen Adea Pirdeni, u ndalëm me brezin që do të formësojë të ardhmen europiane të Shqipërisë, në Durrës, nxënësit e Gjimnazit “Naim Frashëri” dhe studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”.
Ishim të lumtur t’u përgjigjeshim interesit të gjallë dhe pyetjeve të tyre fort të menduara mbi reformat, pritshmëritë, avantazhet dhe imazhin e Shqipërisë, si dhe rolin e tyre në ndërtimin e një Shqipërie moderne dhe europiane, duke dëshmuar pjekuri, qartësi dhe ambicie.
Ky takim konfirmoi edhe një herë se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pandashme nga energjia, vizioni dhe angazhimi i të rinjve, një garanci e fortë për një të ardhme europiane të pakthyeshme për vendin tonë”, shkroi në X Hoxha.







