Ballina Politika Pasi Berisha i mbylli derën Binajt, Alimehmeti shfaq ambicien për bashkinë e...

Pasi Berisha i mbylli derën Binajt, Alimehmeti shfaq ambicien për bashkinë e Tiranës

85
0

Vetëm pasi Sali Berisha i mbylli derën e kandidimit Florjan Binajt, doktor Ilir Alimehmeti i cili si në zgjedhjet brenda partisë ashtu edhe në ato të majit të vitit të kaluar tregoi se gëzon mbështetje të gjerë nga demokratët dhe strukturat e së djathtës, nuk e ka fshehur ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.

Ai ka sinjalizuar qartë synimin për të hyrë në garën për kryeqytetin vitin e ardhshëm, duke e lidhur këtë objektiv me mënyrën se si do të organizohen proceset dhe garat brenda Partisë Demokratike.

“Për Tiranën duhet një vendim shumë politik dhe nuk do të jetë e thjeshtë. Unë objektivin tim e kam pasur gjithmonë, nuk lëviz, vazhdon po i njëjti,” deklaroi ai në një intervistë në Top Neës.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo ambicie do të marrë mbështetjen e ish-kryeministrit Sali Berisha. Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, të shoqëruara me përjashtime dhe përplasje të brendshme, kanë krijuar një klimë të tensionuar.

Ndërkohë që vlen të theksohet se e njëjta klimë paraqitet edhe në kampin rozë. Ambicia e Erion Braçes për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës dhe e “preferuara” e Edi Ramës, Ogerta Mnastirliu për drejtimin e shtëpisë së kryeqytetasve ka sjellë përplasje dhe mes socialistëve.