Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Mimoza Kusari Lila, ka bërë një denoncim të fortë për tregun e karburanteve në Shqipëri. Gjatë një interviste për mediat e kosovës, Kusari ka deklaruar se tregu i karburanteve në Shqipëri është i mbyllur dhe dikton çmime më të larta se vendet e tjera.
“Janë tre vende kryesore nga të cilat hyn nafta në Kosovë. është Shqipëria, në masën më të madhe, 50 ose 60 për qind, është Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Dmth Shqipëria prej Arabisë Saudite që vjen dhe shkarkohet në Portin e Durrësit, ndërsa Greqia dhe Maqedonia kryesisht prej rafinerive të tyre. Tani çka ne kemi vërejt këto ditët e fundit, tani që bëjmë një mesatare të peshuar të litrave dhe çmimit është që çmimi nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut vjen më i ulët, në disa raste prej 10 deri në 13 cent më i ulët se sa çmimi nga Shqipëria. Do të thotë në shumicën e rasteve kur kemi import të derivateve të naftës nga Shqipëria ne kemi një çmim, i cili e rrit mesataren e peshuar,” tha Kusari Lila.
Kreu i industrisë tha se qeveria e Kosovës ka kërkuar shpjegime nga autoritetet në Shqipëri se pse ndodh kjo situatë.
“Kur fillimisht kemi pyetur pse ndodh kjo, interpretimet e para nga sektori ishin që për shkak të taksave dhe unë e dija që kjo nuk mundet të ishte e vërtetë pasi taksat nuk aplikohen për mallin që është tranzit. Prandaj dhe direkt kemi komuniku me autoritetet në Shqipëri, prej doganës e deri tek ministria e Ekonomisë, përgjegjëse për portin dhe ata janë duke bërë analizën e vet dhe brenda një ditë, dy më së largu do e kemi vlerësimin edhe prej Shqipërisë,” shtoi Kusari Lila.
Por ajo nuk ngurroi të jepte një përgjigje të sajën se pse çmimi i karburanteve nga Shqipëria është më i lartë.
“Duket se atje dukshëm paraqitet situatë e koncentrimit. Janë një ose dy importues, dy dmth nga Shqipëria, të cilët bëjnë importin dhe mund të jetë që edhe qëllimshëm bëhet kjo, ky çmim pak më i lartë se në Greqi edhe në Maqedoni të Veriut. Për import po flas gjithmonë, nuk po flas për çmimin e shitjes me pakicë që ndodh nëpër pompat apo pikat e shitjes atje,” përfundoi Lila.







