Ballina Politika “Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi” dhe retorika e Ramës tek korrupsioni

“Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi” dhe retorika e Ramës tek korrupsioni

75
0

“Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”. Pikërisht kjo shprehje duket se e përshkruan më së miri hallin e kryeministrit Edi Rama, i cili në çdo takim me strukturat e partisë rikthen të njëjtin refren, korrupsioni gjatë qeverisjes së tij nuk është rritur.

Nga takimi me Asamblenë Socialiste të Lezhës, ai deklaroi sërish se “kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si sot”. Që ndryshe përkthehet në një tentativë të radhës për të sfumuar skandalet korruptive në të gjitha qeverisjet e tij të cilat po vënë në pikëpyetje edhe procesin e anëtarësimit në BE.

“Unë nuk mund të them se e kemi zhdukur korrupsionin, por mund të them se kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar si tani dhe asnjëherë nuk ka pasur këto rezultate. Zhurma është e madhe, më e madhe edhe se lufta, amplifikohet nga rrugët e keqinformimit, por është edhe rezultat”, u shpreh Rama.

Por, për hir të së vërtetës, këto deklarata vijnë nga kryeministri i një qeverie ku më shumë se gjysma e kabinetit është përfshirë në hetime për korrupsion nga SPAK, me ministra dhe zyrtarë të administratës që kanë përfunduar në burg ose janë nën akuzë. Një realitet që vështirë se përputhet me tablonë propagandistike që pikturon Rama me retorikën e tij në çdo dalje publike.