Ballina Aktualitet “Mirror”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve evropiane për pushime pranverore

“Mirror”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve evropiane për pushime pranverore

120
0

Një ekspert udhëtimesh ka renditur katër destinacione “të nxehta dhe të lira” që ia vlen të vizitohen në muajin maj për pushime pranverore – duke shmangur çmimet e larta gjatë pikut të verës, shkruan Jess Flaherty në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Me dy ditë festa zyrtare, shumë britanikë po kërkojnë ta shfrytëzojnë pushimin për të udhëtuar për një fundjavë të gjatë në kërkim të diellit të garantuar – gjë që nuk është kurrë i sigurt në Britaninë e Madhe.

Duke pasur parasysh këtë, eksperti i udhëtimeve Rob, i njohur në internet si “Rob On The Beach”, renditi katër vende që ai do t’i rezervonte “vërtet” për vete, Shqipëria, Dalamani, Qiproja, Malta.

“Katër vende që, personalisht do të rezervoja – në muajin maj për pushime – vërtet “të nxehta” dhe me çmime të arsyeshme do të ishin, Shqipëria, Dalamani, Qiproja, Malta”, tha Rob në Instagram.

“Maji është një nga muajt më të mirë për një mot të ngrohtë dhe me çmime të përballueshme. Gjithashtu, Britania e Madhe, aktualisht është në sezonin e ditëve të pushimit, kështu që turistët britanikë mund t’i zgjasin pushimet e tyre pak më shumë”, shtoi ai.

“Kam parë të dhënat, motin dhe çmimet aktuale për të zgjedhur katër vendet që me të vërtetë do t’i rezervoja vetë”, theksoi Rob.

1. Shqipëria

Robi tha se “kishte zgjedhur diçka pak më ndryshe këtë herë”, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë.

Vendi i vogël ballkanik krenohet me bregdete të gjalla dhe histori e kulturë të pasur.

Ka shumë kështjella dhe vende arkeologjike, si dhe mundësi për ecje në natyrë dhe plazhe mesdhetare të qeta dhe jo të mbushura me vizitorë.

“Në një mënyrë apo tjetër, Shqipëria po bëhet një destinacion në radar – pasi këtu keni një bregdet që duket si Greqia, por çmimet janë realisht të ulëta”, tha eksperti.

“Në muajin maj, do të ndiheni rehat me temperatura rreth 20 gradë Celsius me mot të ngrohtë dhe me diell dhe, më e rëndësishmja, nuk ka shumë vizitorë atje”, shtoi ai.

Rob ndau në Instagram një ofertë për katër netë në hotelin me tre yje “Hotel Vola” në Sarandë – me mëngjes të përfshirë dhe fluturime direkte nga Aeroporti Stansted i Londrës – me një kosto prej 175 paund për person.

“Për një pushim të shkëlqyer dhe të lirë në plazhin evropian – që është gjithashtu një perlë e fshehur, Shqipëria është destinacioni më i përballueshëm për pushime në fundjavë. Ju rekomandoj ta vizitoni sa më shpejt të jetë e mundur – përpara se vendi të zbulohet nga shumë turistë dhe të mbipopullohet vitin tjetër”, tha Rob.