Ballina Politika Propozuan uljen e çmimit të naftës, PD kërkesë Peleshit: Të shqyrtohet me...

Propozuan uljen e çmimit të naftës, PD kërkesë Peleshit: Të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar

58
0

Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës. Grupi parlamentar i opozitës kërkon që ky propozim të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit, si një masë emergjente që do të sillte shmangien e pasojave ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.

Propozimi i Partisë Demokratike kërkon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës. Nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.

Kërkesa e plotë e PD

Me shkresën nr. 1206 Prot., datë 19.03.2026, Grupi Parlamentar i PD, përmes Nënkryetarit të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, deputetit Enno Bozdo, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse”. Shqipëria renditet ndër vendet me cmimin më të lartë të karburantit në Evropë dhe Botë, ndonëse renditemi në vendet e fundit të listës përsa i përket nivelit të të ardhurave të pergjitshme dhe për frymë. Një prej arsyeve kryesore të cmimit tejet të lartë të karburanteve, është pikërisht edhe niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila pasi ngarkohet edhe me normën e TVSH-së, përbën një peshë të konsiderueshme të cmimit final të litrit të karburantit. Qëllimi i projektligjit “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse” është krijimi i një kuadri të posaçëm ligjor për menaxhimin efektiv të krizave në sektorin e hidrokarbureve, të shkaktuara nga zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare, veçanërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Në kushtet e rritjes së pasigurisë në tregjet globale të energjisë dhe luhatjeve të forta të çmimeve të lëndëve djegëse, projektakti synon të pajisë Republikën e Shqipërisë me instrumente ligjore dhe institucionale për të garantuar sigurinë e furnizimit, stabilitetin e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe ekonomisë kombëtare.

Ai synon të adresojë mungesën aktuale të një mekanizmi të integruar reagimi ndaj krizave energjetike, duke vendosur procedura të qarta për shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e hidrokarbureve dhe për aktivizimin e menjëhershëm të masave përkatëse. Në këtë mënyrë, krijohet mundësia për një reagim të shpejtë, të koordinuar dhe proporcional ndaj situatave emergjente që ndikojnë në furnizimin dhe çmimet e karburanteve. Ky projektligj ka natyrë urgjente dhe synon mbrojtjen e interesit publik. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 83, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, KËRKOJMË: Shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të: 1. Projektligjit “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse”. Duke mbajtur në konsideratë pikën 5 të nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që: 1. Projektligji “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse”, të përfshihet në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit për periudhën 13 Prill 2026 – 30 Prill 2026. Shqyrtimi dhe miratimi i tij të bëhet në seancën plenare të datës 16 Prill 2026. Ndërkohë që Komisionet Parlamentare të përfundojnë shqyrtimin dhe miratimin e tij brenda datës 14 Prill 2026. Me shpresën se secili deputet i Kuvendit të Shqipërisë bashkëndanë shqetësimin tonë për rritjen e papërballueshme të cmimit të karburanteve për cdo qytetarë shqiptarë, me pasoja edhe në rritjen e produkteve të tjera jetësore, kërkojmë miratimin e kësaj kërkese.