Duke nxituar të kapë hapin e Edi Ramës, ministrja e shëndetësisë Evis Sala ishte në Spitalin e Lezhës, për ta njohur kryeministrin me investimet në godinë.
Me një spital ku shtretërit ishin bosh, me etiketa të pahequra dhe pa pacientë në dhoma, Sala vijoi ushtrimin e propagandës.
Ajo guxoi të premtojë se edhe në spitalin e Lezhës, do të jetë një pavion onkologjike, me të njëjtat standarde si në Tiranë.
“Kemi në Lezhë kimioterapi ditore, i cili do të rindërtohet me të gjitha specifikimet, si në QSUT, me të njëjtat standarde. Por edhe me të njëjtat protokolle të standardit evropian”,-tha ministrja e cila mbase kishte parasysh se si në QSUT, pacientët me kancer nuk marrin shërbime, nuk kanë ilaçe, nuk bëjnë terapi, nuk kanë skanera, dhe ose do të luftojnë me tarifat e korrupsionit, ose do të vrapojnë tek spitalet private ose ato të huaja.
“Decentralizimi i shërbimit onkologjik dhe krijimi i bërthamave të kimioterapisë është fantastik”,-e mbështeti Edi Rama, sikur të mos jetonte në Shqipëri.
Por ministrja është ekselente në premtimet e saj absurde. Falë vizionit të saj, në vijim mjekët e shkëlqyer do të punojnë me dëshirë nëpër rrethe.
“Do të ngremë edhe këtu qendrën e eskselencës. Parimi është që ekselenca nuk duhet të koncentrohet vetëm në Tiranë, por shërbimet e ekselencës, do të shtrihen dhe në spitalet e tjera rajonale, sigurisht me fusha të ndryshme specializimi”,-tha Sala./vna







