Ballina Aktualitet Tensione në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, banorët kundër impianteve fotovoltaike: Do sjellë...

Tensione në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, banorët kundër impianteve fotovoltaike: Do sjellë pasoja ekonomike

74
0

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Bulqizës u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi u rikthye për t’u mbajtur pas dështimit të seancës së parë për shkak të mungesës së kuorumit.

Që në nisje, u vu re një klimë e ngarkuar, e cila u përshkallëzua më tej me praninë e disa banorëve të zonës së Gjoricës së Poshtme, të cilët kishin ardhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të planifikuara për shfrytëzimin e tokave pyjore dhe kullosore.

Banorët u shprehën hapur kundër çdo vendimi që parashikon dhënien në përdorim të këtyre tokave për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

Sipas tyre, këto projekte përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën e komunitetit lokal, pasi prekin kullotat e përbashkëta që përdoren për blegtorinë dhe ndikojnë negativisht edhe në aktivitetet bujqësore. Ata theksuan se humbja e këtyre sipërfaqeve do të sillte pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për familjet që varen nga këto burime.

Gjatë mbledhjes, banorët ndërhynë disa herë, duke kërkuar transparencë dhe përfshirje në vendimmarrje, ndërsa akuzuan institucionet vendore për mungesë konsultimi paraprak. Tensionet u rritën edhe më shumë kur ata refuzuan të largoheshin nga salla, duke e bërë të vështirë vijimin normal të diskutimeve nga anëtarët e këshillit.

Një nga momentet më të tensionuara të mbledhjes ishte edhe përplasja mes anëtarëve të opozitës dhe drejtuesve të këshillit për kërkesën e shkarkimit të sekretarit të Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi. Këshilltarët e opozitës ngritën akuza të drejtpërdrejta ndaj Reçit për korrupsion, tejkalim kompetencash dhe shkelje të procedurave ligjore, veçanërisht në mënyrën se si janë organizuar dëgjesat publike për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore. Pikërisht për këtë arsye, opozita kërkoi që mocioni për shkarkimin e sekretarit të hidhej menjëherë në votim, përpara se të niste shqyrtimi i rendit të ditës. Por kërkesa u refuzua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, i cili argumentoi se çështja nuk mund të trajtohej në atë moment dhe se do të shtyhej për mbledhjen e radhës.

Në reagimin e tij, Klodian Reçi mohoi akuzat dhe deklaroi se gjatë dëgjesave të organizuara banorët kishin shprehur kundërshtimin e tyre, ndërsa sipas tij nuk ishin mbledhur as firma mbështetëse dhe as dokumente që të tregonin dakordësi të komunitetit.