Ballina Aktualitet KLSH gjen 26.2 miliardë lekë dëm ekonomik në 2025, kryesojnë Doganat dhe...

KLSH gjen 26.2 miliardë lekë dëm ekonomik në 2025, kryesojnë Doganat dhe Avokatura e Shtetit

81
0

Shkelje të përsëritura ligjore, menaxhim joefektiv i fondeve publike dhe dobësi serioze në kontrollin institucional kanë prodhuar një faturë të rëndë për buxhetin e shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Raportin Vjetor 2025 ngre alarmin për një dëm ekonomik prej 26.2 miliardë lekë në administratën publike, si rezultat i parregullsive financiare dhe shkeljeve të kuadrit ligjor në një gamë të gjerë institucionesh.

Gjatë vitit 2025, KLSH-ja ka zhvilluar 190 auditime, ka dhënë 222 opinione dhe ka lënë 4,994 rekomandime.

Gjetjet e raportit të performancës tregojnë për dobësi sistemike në menaxhimin e fondeve publike, me disa institucione që mbajnë peshën kryesore të këtij dëmi.

Avokatura e Shtetit, mbi 1 miliard lekë dëm nga menaxhimi i dobët i çështjeve ligjore

Institucioni me ndikimin më të lartë rezulton Avokatura e Shtetit, me rreth 1.08 miliardë lekë dëm ekonomik. Pikërisht institucioni që duhet të mbrojë më së miri interesat e shtetit shqiptar, i ka sjellë buxhetit dëmin më të madh ekonomik vitin e kaluar. Sipas KLSH-së, problematika lidhet me mosmenaxhimin efektiv të çështjeve gjyqësore dhe arbitrazhit ndërkombëtar, ku vonesat dhe mosveprimet kanë sjellë kosto shtesë për buxhetin. Detyrimet kontingjente nga vendimet e GJEDNJ dhe arbitrazhit mbeten të larta, ndërsa mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes së përfaqësuesve ligjorë ka rënduar më tej situatën.

Tatimet dhe Doganat, miliarda lekë dëm

Sipas të dhënave të auditimit, dëmi i evidentuar në sistemin tatimor arrin në rreth 951 milionë lekë, i lidhur me trajtimin e pasaktë fiskal të transaksioneve, përfshirë shitje nën koston e blerjes apo nën çmimet e tregut, diferenca të pajustifikuara në inventar dhe kreditim të gabuar të TVSH-së.

Në të njëjtën kohë, administrata doganore paraqitet me një ndikim edhe më të lartë financiar, ku dëmi ekonomik i evidentuar arrin në rreth 6.33 miliardë lekë, që rezulton edhe vlera më e lartë nga institucionet shtetërore. Auditimi ka konstatuar mosrealizim të të ardhurave nga TVSH-ja në import, akcizat dhe taksat doganore, të shoqëruara me keqklasifikime tarifore, deklarime të pasakta të mallrave dhe mungesë kontrolli mbi vlerën reale dhe origjinën e tyre.

E njëjta situatë evidentohet edhe në prokurimet publike. Në shumë raste konkrete, ofertat më të ulëta janë skualifikuar pa argumentim të mjaftueshëm dhe kontratat janë lidhur me çmime më të larta, duke krijuar drejtpërdrejt efekt negativ në buxhetin e shtetit.

Zonat e mbrojtura dhe mjedisi, afro 1 miliard lekë dëm

Në sektorin e mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe strukturat rajonale rezultojnë me rreth 990.4 milionë lekë dëm. Auditimi evidenton mungesë dokumentimi të inspektimeve, plane menaxhimi të papërditësuara dhe mosregjistrim të zonave në kadastër, duke kufizuar kontrollin mbi territorin dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.

Kadastra në Tiranë, 560 milionë lekë nga pasaktësitë dhe menaxhimi i dobët

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Tiranë) ka shkaktuar rreth 560.2 milionë lekë dëm, i lidhur me probleme në administrimin e pronës shtetërore dhe proceset e shpronësimit. KLSH evidenton mbivlerësime të pronave, mungesë transparence dhe dokumentimi, si dhe mosrespektim të afateve ligjore.

Porti i Durrësit dhe sektori i transportit, 434 milionë lekë

Në Autoritetin Portual Durrës, dëmi arrin në 434 milionë lekë, kryesisht për shkak të mangësive në menaxhimin financiar dhe procedurat administrative, përfshirë dokumentacion të paplotë dhe dobësi në kontrollin e operacioneve.

AKU, 138.8 milionë lekë dhe risk për sigurinë ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) paraqitet me rreth 138.8 milionë lekë dëm ekonomik, ndërsa problematikat e evidentuara nga KLSH konsiderohen ndër më të ndjeshmet për publikun, pasi lidhen drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore. Auditimi nxjerr në pah mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore përgjatë zinxhirit, kontrolle të dobëta të shoqëruara me dokumentim të paplotë, si dhe funksionim të laboratorëve pa akreditim sipas standardeve përkatëse. Gjithashtu, janë konstatuar vonesa në reagimin ndaj produkteve me risk të identifikuara përmes sistemit RASFF, duke kufizuar ndërhyrjen në kohë nga autoritetet përgjegjëse. Sipas raportit, këto mangësi rrisin ndjeshëm rrezikun që produkte të pasigurta të vijojnë të qarkullojnë në treg dhe të konsumohen nga qytetarët, duke cenuar mbrojtjen e shëndetit publik.

Ujësjellës-kanalizimet, 231.8 milionë lekë dhe mungesë kontrolli në investime

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve rezulton me rreth 231.8 milionë lekë dëm, me probleme në planifikimin dhe realizimin e investimeve, mungesë laboratorësh në shumicën e shoqërive dhe mosgarantim të cilësisë së ujit të pijshëm.

Në nivel vendor, Bashkia Fier evidentohet me rreth 234.8 milionë lekë dëm, ndërsa bashki të tjera kontribuojnë përmes pasqyrave financiare të pasakta dhe menaxhimit joefektiv të fondeve. KLSH thekson se në shumë raste mungon rakordimi i të dhënave, regjistrimi i plotë i detyrimeve dhe ndjekja e borxheve të prapambetura. /ekofin.al