Pas “iniciativës” për të bindur shqiptarët se korrupsioni gjatë qeverisjes së tij nuk është rritur, kryeministri Edi Rama ka kaluar në një sektor tjetër, duke deklaruar se në ndërtim nuk pastrohen paratë.
Gjatë takimit me sipërmarrës shqiptarë, Rama pranoi se sektori i ndërtimit ka probleme, por sipas tij, është e neveritshme dhe e papranueshme që ai të futet në kornizën e krimit.
“As nuk e vë në diskutim që jo çdo gjë është e pastër, e qartë si drita e Diellit, por ama që këtë sukses evident të vendit, që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. E kanë të vështirë disa të besojnë se si Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla? Po punë e madhe se e kanë të vështirë. Ka shumë arsye pse Shqipëria mund t’i bëjë dhe janë lehtësisht të lexueshme nga ata që duan t’i lexojnë”, tha Rama.
Megjithatë, kryeministri duhet të dijë se pastrimi i parave në ndërtim nuk është një term i shpikur me retorikë, por është dokumentuar nga raportet e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Raporti i SPAK i vitit 2025, në faqen 31, përmend sektorin e ndërtimit si një nga opsionet që përdor krimi i organizuar për pastrimin e parave.
Raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se ekonomia shqiptare shfrytëzohet për “pastrimin e të ardhurave nga krimi, veçanërisht përmes sektorit të ndërtimit”, duke kontribuar gjithashtu në korrupsion dhe destabilizim të institucioneve.
Pra, mes retorikës dhe raporteve ekziston një diferencë e madhe. E para mund të jetë dhe propagandë, dërsa e dyta bazohet në fakte.







