Shqiptarët në Malin e Zi do të bashkohen në një subjekt të vetëm politik.
Ministri i Administratës Publikë ne Malin e Zi, Marash Dukaj deklaroi në një intervistë për Top Channel se objektivi i Forumit Shqiptar është unifikimi i shqiptarëve, si një nevojë kyçe për arritjen e integrimit në Bashkimin Europian dhe për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët.
“Unë besoj dhe shpresoj që për një kohë të shkurtër, nuk besoj se do të kaloj më shumë se 1 muaj që Forumi Shqiptar do të bëhet unik, pra të bëhet një subjekt politik dhe me platformë të qartë për unifikimin e shqiptarëve në Mal të Zi sepse unifikimi i shqiptarëve kudo jo vetëm në Mal të Zi është baza, është themeli I arritjeve të sukseseve dhe aspiratave tona që kanë të bëjnë me integrimin e Malit të Zi në BE, me raportet e shkëlqyera me të gjithë fqinjët, në mënyrë të posaçme me Shqipërinë dhe Kosovën, me zhvillimin ekonomik, mirëqenien, zhvillimin kulturor, gjuhësor dhe shumë aspekte të tjera”, shprehet Dukaj.
Sakaq, gjatë një forumi universitar, ku foli për pozitat dhe rolin e shqiptarëve në politikë-bërje, ministri Dukaj tha se përfaqësimi i shqiptarëve të Malit të Zi asnjëherë nuk ka qenë në këtë nivel që është sot.
“Me themelimin e Forumit Shqiptar në vitin 2013 në Tuz e këndej, situata dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Mal të Zi ka ndryshuar. Historia këtë do ta dëshmojë dhe do ta shkruajë në një mënyrë, jam shumë i sigurt, pozitive për shqiptarët në Mal të Zi”, thotë Dukaj.







