Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaci, inspektoi ecurinë e punimeve në kantierin e zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës, ku punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Gjatë inspektimit, Karakaci theksoi rëndësinë e këtij aksi, i cili konsiderohet më i ngarkuari në vend, pasi përballon fluksin e mjeteve nga veriu, lidhjen me Aeroportin e Rinasit dhe me Portin e Durrësit.
Ministri u shpreh se punimet në 6 kilometrat e para kanë qenë sfiduese, për shkak të përpjekjeve për të mos penguar qarkullimin e mjeteve, duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin.
“Punimet kanë ecur me ritme të larta, por dimri i lagësht ka ndikuar në vonesën e asfaltimit. Megjithatë, jemi brenda afateve të kontratës dhe synojmë përfundimin e tyre në muajin korrik”, deklaroi Karakaçi.
Ai bëri të ditur se aktualisht punimet janë përqendruar në lotin e parë, ku po vijon procesi i asfaltimit. Sipas tij, në këtë aks qarkullojnë rreth 90 mijë mjete në ditë gjatë javës, ndërsa ndërhyrjet synojnë përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së rrugës.
Ministri nënvizoi se po aplikohen teknologji të reja në asfaltim dhe se autostrada do të ketë 3+1 korsi, sipas standardeve më të mira. Ai shtoi se brenda javës së parë të muajit maj pritet hapja e segmentit për qarkullim, çka do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në prag të sezonit turistik, ndërsa në vijim do të realizohet edhe arredimi urban.







