Ballina Politika Afera e Portit të Durrësit/ Gashi: Pa transparencë dhe garë, qyteti humbet...

Afera e Portit të Durrësit/ Gashi: Pa transparencë dhe garë, qyteti humbet të ardhura! Favorizohen investitorët

101
0

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Adrian Gashi, gjatë fjalës së tij u ndal te ajo që e cilësoi si një nga aferat më të mëdha ekonomike dhe strategjike në vend, projekti i Portit të Durrësit.

Ai ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën e miratimit dhe zbatimit të këtij projekti, duke theksuar se ligji i posaçëm i vitit 2020 ka krijuar hapësirë për përjashtim nga prokurimi publik dhe mungesë të plotë transparence në marrëveshjet me kompanitë e huaja.

Sipas Gashit, ky model vendimmarrjeje ka shmangur konkurrencën dhe kontrollin institucional, duke e kthyer projektin në një proces të mbyllur dhe të paqartë për publikun dhe për institucionet lokale.

Deklarata e plotë:

“I nderuar profesor doktor Sali Berisha, të nderuar deputetë, përfaqësues të medias, ekspertë të fushave të ndryshme, përfaqësues të biznesit dhe qytetarë, të nderuar të pranishëm. Ju falenderoj për praninë tuaj në këtë tryezë të rrumbullakët e cila trajton një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen ekonomike, strategjike dhe urbane të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, zhvillimin e portit dhe projektet e lidhura me të.

Që në fillim dua të theksoj se kjo tryezë synon të jetë një hapësirë dialogu e hapur, profesionale dhe gjithëpërfshirëse ku secili prej nesh mund të kontribuojë me ide, analiza, shqetësime konkrete.

Doktor Berisha, dua t’ju falenderoj për të gjitha, për të gjithë këtë kohë që ju keni pasur një vëmendje të veçantë lidhur me zhvillimet kryesore të Durrësit. Si ato politike, gjithashtu dhe ato ekonomike dhe sociale.

Më datë 3 dhjetor 2020, parlamenti i Shqipërisë miratoi pa zhurmë një ligj, atë 145 të 2020-ës, për bashkëpunimin ekonomik mes qeverive të Shqipërisë dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe. I gjithë thelbi i këtij ligji është vetëm një nen. Përjashtimi nga prokurimi publik i të gjithë projekteve që financohen nga kompanitë arabe në Shqipëri.

Domethënë, i jep qeverisë të drejtën të bëjë pazare me kompanitë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pa asnjë kontroll dhe pa asnjë përgjegjësi ligjore. Pjesë e kësaj afere është dhe projekti i transformimit të portit të Durrësit në një projekt rezidencial.

Sipas qeverisë, projekti parashikon një investim prej 2.1 miliardë euro. me zhvillime urbane, turistike dhe infrastrukturore. Ai është ndarë në dy faza dhe përfshin ndërtimin e 13.000 apartamenteve, hoteleve dhe një marine për jahte me 280 poste.

Megjithatë, ky projekt ka ngritur një sërë pyetjesh dhe debatesh të rëndësishme. Së pari, procedurat dhe vendimmarrja. Ka shqetësime lidhur me mungesën e transparencës, mungesën e konsultimit publik dhe përjashtimin nga procedurat standarte të prokurimit, duke krijuar diskutime mbi transparencën dhe konkurencën. Së dyti, ndikimi ekonomik dhe lokal.

Ka fakte se qyteti i Durrësit nuk do të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të ardhurat, për shkak të lehtësive fiskale të dhëna në këtë projekt. Këtu parashikohet përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila është 8% dhe taksa e strehimit social, e cila është 3%. Të dyja në një vlerë të përafërt prej 210 milionë euro. Të ardhura këto që do t’i mungojnë qytetit të Durrësit.

Çuditërisht, edhe sot nuk kemi asnjë prononcim të Bashkisë Durrës lidhur me këto taksa, edhe pse bëhet fjalë për taksat e të qytetarëve të Durrësit.

Së treti, dimensioni strategjik dhe logjistik. Debati nuk lidhet vetëm me portin aktual, por dhe me të ardhmen e infrastrukturës kombëtare, përfshirë zhvillimin e Porto Romanos si port i ri strategjik.

Sipas një reagimi të ardhur nga publik, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila shprehet se vendimmarrjet për portet janë vendime që merren një herë në një shekull dhe ndikojnë drejtpërdrejt në pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të vendit.

Po ashtu, është theksuar se zhvillimi i pamjaftueshëm i Porto Romanos mund të ndikojë negativisht në konkurueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe në funksionimin e korridoreve strategjike, siç është edhe ai i Korridorit 8. Edhe në këtë moment që flasim, nuk ka filluar akoma faza e parë e këtij projekti.

Në këtë kontekst, qëllimi ynë sot është ta analizojmë projektin në mënyrë të thelluar dhe të balancuar, të dëgjojmë zërin e ekspertëve dhe të industrisë, të diskutojmë alternativa dhe zgjidhje të qëndrueshme dhe mbi të gjitha të vendosim në qendër interesin publik dhe zhvillimin afatgjatë të vendit”