Ballina Kulturë Arnaut Zejneli, shqiptari që u bë Hero në Turqi

Arnaut Zejneli, shqiptari që u bë Hero në Turqi

72
0

Nga Rushit Zejneli 

Kujtesa ka pengjet e saj, dritëhijet që thurin e shthurin pëlhurën e mendimit dhe projeksionin e ëndrrës. Isha i vogël, fëmijë plot dëshira dhe ëndrra fëmijërore, kur endesha me gjyshin në lëndinat e fshatit, një fshat periferik në rrethin e Kukësit. Gjyshi gjithmonë më rrëfente një histori për vëllain e tij, Arif Zejnelin, të humbur pa nam e nishan në rrjedhat e Luftës së Parë Botërore.

Kishte ikur i ri rrugëve të mërgimit dhe nuk ishte kthyer më. Fjalë pas fjale, si në një baladë të moçme, thuhej se kishte shkuar në Turqi, në kërkim të një dashurie rinore me një turke. Disa lajme, të mjegullta si vetë ikja e tij, thoshin se ishte verbuar në flakët e Luftës greko-turke. Të tjerë pohonin se ishte verbuar shumë më vonë, disa vjet para se të vdiste. Por asgjë nuk ishte e sigurt; gjithçka mbështillej me mjegullën e largësisë në kohë dhe hapësirë, duke lënë pas dilema dhe enigma.

Kjo kujtesë vazhdoi të më mbante peng gjatë gjithë jetës, një kujtesë fëmijërore, kur, teksa shëtisja me gjyshin në lëndinat e fshatit, ai tregonte për vëllanë e tij, i cili ishte larguar nga vendlindja që fëmijë dhe që nuk do ta takonte më kurrë. Gjyshi iku nga kjo botë me këtë peng në zemër dhe pengu i tij u kthye në peng për mua, si nipi i tij.

Ishte një rrëfim prekës, ku përzihej emocioni i humbjes së një njeriu të dashur me lotët e përmallimit për shkak të mungesës së gjatë. Një mungesë që, me kalimin e stinëve dhe viteve, u kthye në fiksim, u bë referencë kohore: para dhe pas vëllait të humbur.

Unë, fëmijë dhe i ri, por edhe më vonë, kur u burrërova, u rrita me këtë histori, të cilën gjyshi e mori me vete në atë botë, duke lënë tek unë kureshtje dhe një nevojë të ngutshme për të gjetur gjurmët e vëllait të tij, kudo që të ndodhej, i gjallë apo i vdekur.

Kjo është një histori ku ndërthuret kërkimi për familjarin e humbur në shtjellat e viteve të largëta, me ankthin e pritjes, përmallimin dhe realizimin e një kërkimi shumëvjeçar, të ethshëm dhe shterues. Sot jetojmë në një epokë ikjesh të mëdha: ikje nga vendlindja, ikje nga atdheu, ikje për një jetë dhe fat të ri, por jo më humbje pa nam e nishan, pasi mjetet e komunikimit janë më të pranishme se kurrë më parë.

Kur Arif Zejneli mori udhët e mërgatës, në kërkim të fatit të ri, por edhe të një dashurie, Turqia sapo kishte lënë pas luftën ruso-turke, që i kishte kushtuar aq shumë. Gjyshi tregonte se, megjithë përpjekjet për të zbuluar gjurmët e të vëllait, çdo tentativë kishte dështuar dhe mes tyre kishte rënë mjegulla e humbjes, por jo e harrimit. Vuajtjet dhe mungesat, lufta dhe varfëria kishin bërë të tyren dhe mundësia për të rënë në gjurmët e tij ishte shuar për gjyshin tim të shtrenjtë.

Unë e mbajta këtë amanet si një peng dashurie për gjakun e bjerrur. U rrita dhe u burrërova me këtë vizion, si nevojë për të gjetur gjurmët e Arif Zejnelit.

Në kohën e demokracisë, kur u shtuan mjetet dhe mundësitë e komunikimit, tentova disa herë që, përmes emisioneve si “Njerëz të humbur”, të gjeja vëllain e gjyshit apo familjen e tij, por kjo rezultoi e pamundur.

Kur i kisha humbur shpresat, rastësisht pashë një emision në shqip të gazetares dhe moderatores Mimoza Elezi. Aty më lindi një shkëndijë shprese se ajo mund të bënte diçka. I shkrova dhe, fatmirësisht, mora një përgjigje pozitive. Ajo u angazhua me përkushtim për të gjetur dhe për të nxjerrë në dritë gjithçka që kishte lidhje me Arif Zejnelin.

Investigimi i saj zbuloi se ai kishte jetuar, kishte vdekur dhe ishte varrosur në Manisa Turgutlu, rreth 80 kilometra larg Izmirit. Ai figuronte në regjistrat e popullsisë dhe në varreza me emrin “Arnaut”, me të cilin identifikohej si figurë e njohur në historinë turke.

Pasi kishte lindur djalin, Rahmiun, ai ishte verbuar. Gruaja, për të cilën kishte ndërmarrë atë udhëtim pa kthim, e kishte lënë, por ai nuk ishte demoralizuar dhe nuk ishte thyer. Rahmiu la pas tre djem dhe dy vajza: Zenelin, Bahriun, Skënderin, Sherifen dhe Mynyren, të gjithë me pasardhës që mbajnë gjallë emrin e Arnaut Zejnelit.

Të gjitha këto unë nuk i dija. Do t’i mësoja kur, së bashku me bashkëshorten time, mora rrugën drejt Turqisë për të gjetur rrënjët dhe gjakun e shpërndarë të familjes sonë.

Ishte përvoja dhe emocioni më i bukur i jetës sime. Tek trashëgimtarët e Arnaut Zejnelit gjeta gjakun tim, nderimin, bujarinë, respektin dhe vlerat e një trashëgimie që kishte ruajtur identitetin dhe krenarinë shqiptare.

Arnauti kishte lënë pas bij të denjë, që dinin të vlerësonin trashëgiminë e një emri dhe vepre të ndritur, që i rrinte si kurorë e artë Turqisë. Ai jetoi si një burrë i shquar, me vepra guximi dhe trimërie.

Në Turgutlu, një park dhe një rrugë mbajnë emrin e tij. Nxënësit mësojnë për historinë dhe bëmat e tij në shkollë. Për të janë shkruar libra dhe janë realizuar dokumentarë.

Kur vizitova familjen e tyre, m’u duk sikur i njihja prej kohësh, sikur nuk ishim ndarë kurrë. Mikpritja dhe ngrohtësia e tyre ishte e jashtëzakonshme. Gjaku i munguar prej dekadash më thërriste drejt tyre.

Shqiptarët në Turqi përbëjnë një komunitet të madh dhe me kontribute të çmuara, siç është rasti i Arnaut Zejnelit, që jetoi si shqiptar dhe u nderua si figurë e respektuar e shtetit turk.

Ai ishte mik dhe bashkëpunëtor i Mustafa Kemal Atatürk, themeluesit të shtetit modern turk, dhe u bë një nga simbolet e këtij vendi.

Sot ndihem i lumtur që “e gjeta” vëllain e gjyshit tim. Gjeta gjurmët e lotit dhe përmallimit të tij dhe, mbi të gjitha, gjeta një familje të re – pasardhësit e Arnaut Zejnelit, pjesë e rrënjëve dhe e trashëgimisë sime familjare.