Shoqatat e transportit publik në vend kanë paralajmëruar për një ndërprerje të mundshme të shërbimit duke nisur nga java e ardhshme, për shkak të rritjes së kostove dhe mungesës së mbështetjes institucionale.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, shtrenjtimi i karburantit, së bashku me rritjen e kostove të mirëmbajtjes dhe pjesëve të këmbimit, ka vënë operatorët në një situatë të vështirë financiare. Ata theksojnë se, në mungesë të një ndërhyrjeje të menjëhershme nga qeveria, rreth 450 linja të transportit publik rrezikojnë të ndërpresin aktivitetin.
Shoqata e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar sërish me një letër ministrive përgjegjëse, duke kërkuar informacion mbi ecurinë e shqyrtimit të kërkesave të tyre dhe masa konkrete mbështetëse. Sipas tyre, pavarësisht një takimi të zhvilluar më 1 prill, ende nuk ka pasur një reagim zyrtar apo një takim të dytë, i cili ishte premtuar për datën 7 prill.
Operatorët kërkojnë miratimin urgjent të një pakete mbështetëse, me fokus kryesor kompensimin e çmimit të karburantit. Ata propozojnë një skemë të ngjashme me atë të vitit 2022, me një nivel kompensimi prej 100 lekësh për litër naftë, si një masë e domosdoshme për stabilizimin e sektorit.
Në shkallë vendi, sektori i transportit publik përfshin rreth 235 operatorë të licencuar, të cilët operojnë në afro 450 linja të rregullta. Sipas shoqatave, mungesa e reagimit institucional po rrit pasigurinë financiare dhe rrezikon vijimësinë normale të shërbimit për qytetarët.
Përveç kompensimit të karburantit, operatorët kërkojnë gjithashtu lehtësim fiskal, duke përfshirë uljen e akcizës, taksës së qarkullimit dhe TVSH-së.
Ata paralajmërojnë se mosndërhyrja në kohë nuk prek vetëm aktivitetin e tyre ekonomik, por cenon drejtpërdrejt interesin publik dhe funksionimin normal të jetës urbane dhe ndërurbane në vend.







