Ballina Politika Midis “Maskarenjve” dhe Mafias: Kush po e Ndërton Tiranën?

Midis “Maskarenjve” dhe Mafias: Kush po e Ndërton Tiranën?

89
0

Në daljen e tij të fundit publike, Kryeministri Edi Rama zgjodhi sërish rrugën e agresivitetit retorik për të adresuar shqetësimin më të madh ndërkombëtar që rëndon mbi Shqipërinë: shndërrimin e sektorit të ndërtimit në një “lavatriçe” gjigante të kapitalit kriminal. Duke i etiketuar kritikët si “maskarenj” dhe raportet si “lehje”, Kryeministri nuk tentoi të mbrohej me fakte, por me një blindim verbal që tenton të fshehë një realitet ekonomik të rrezikshëm. Ky qëndrim tregon qartë se asimetria mes fjalëve të pushtetit dhe të vërtetave të terrenit ka arritur në një pikë thyerjeje, ku propaganda nuk mbulon dot më aromën e rëndë të krimit financiar.

Ky paradoks i të ashtuquajturit “boom” të ndërtimit shpërfaqet aty ku logjika ekonomike kapitullon përballë interesave të errëta. Në çdo ekonomi tregu, rritja e ofertës në ndërtim diktohet nga rritja e popullsisë dhe e fuqisë blerëse, por Shqipëria e vitit 2026 paraqet një anomali botërore. Ndërsa popullsia rezidente tkurret për shkak të emigrimit masiv, lejet e ndërtimit shtohen me ritme dyshifrore, duke u shkëputur plotësisht nga sistemi bankar. Një pjesë dërrmuese e transaksioneve kryhen jashtë kanaleve zyrtare, çka vërteton se kullat e Tiranës nuk po i shërbejnë nevojës për strehim, por po shndërrohen në depozita vlerash për paratë e pista që nuk mund të qarkullojnë lirisht në tregjet e rregulluara të Bashkimit Europian.

Në këtë skenë të krimit financiar, lind pyetja legjitime se përse Struktura e Posaçme (SPAK) po vazhdon ta shmangë “elefantin në dhomë”. Heshtja e institucioneve të drejtësisë nuk është thjesht një dështim operacional, por një paralizë sistemike që dëshmon vërtetësinë e hidhur të asaj që Frédéric Bastiat e ka cilësuar si kulmin e korrupsionit shoqëror: “Kur vjedhja bëhet një mënyrë jetese për një grup njerëzish në shoqëri, ata krijojnë për veten e tyre me kalimin e kohës një sistem ligjor që e autorizon atë dhe një kod moral që e lavdëron atë.”

Ky “autorizim ligjor” shfaqet sot përmes ligjeve për “Investimet Strategjike”, të cilat u japin entiteteve me kapital të dyshimtë një imunitet paraprak, duke e bërë tejet të vështirë ndërhyrjen e prokurorisë. Ndërkohë, “kodi moral” që e lavdëron këtë vjedhje është pikërisht retorika e Kryeministrit, i cili e paketon pastrimin e parave si “sukses kombëtar” dhe kritikët si armiq të zhvillimit. Përmes kësaj mbrojtjeje, Edi Rama po vetëshpallet si garant i një sistemi ku krimi i organizuar nuk lufton më shtetin, por është integruar brenda tij, duke përdorur lejet e ndërtimit si certifikata pafajësie.

Ky rrezik i një “default-i moral” e vendos Shqipërinë në një udhëkryq fatal. Vendi nuk mund të aspirojë integrimin europian duke u ofruar kartelave të drogës një parajsë ndërtimi, ndërkohë që arroganca e pushtetit ushqehet nga bindja se paratë e pista mund të blejnë heshtjen e të gjithëve. Kur flluska e betonit të shpërthejë, pasojat nuk do t’i vuajnë “arkitektët” e këtij sistemi, por qytetarët e ndershëm që sot po dëbohen nga qytetet e tyre prej çmimeve të fryra, dëshmi e heshtur e një kalbëzimi moral që asnjë fasadë xhami nuk e mbulon dot./vna