Raporti vjetor i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për vitin 2025 evidenton një rritje të qëndrueshme të rolit të prodhuesve privatë dhe veçanërisht të energjisë fotovoltaike në strukturën e prodhimit vendas, ndonëse disa projekte kanë hasur vonesa teknike.
Sipas raportit, prodhimi i energjisë elektrike nga centralet prodhuese të pavarura dhe ato me përparësi arriti në 4,015,324 MWh, duke përbërë rreth 53.8% të prodhimit total në vend. Kapaciteti i instaluar i këtyre centraleve është 1,097.6 MW, ndërsa vetëm prodhimi i tyre për vitin 2025 arriti në 1,957,663 MWh.
Në ndarjen sipas kategorive, prodhuesit e pavarur hidro kontribuuan me 1,260,056 MWh, ndërsa ata fotovoltaikë me 697,607 MWh. Ndërkohë, prodhuesit me përparësi gjeneruan 1,143,712 MWh të lidhur në OST dhe 779,210 MWh në OSSH, si dhe 134,739 MWh nga impiantet fotovoltaike me skema mbështetëse.
Një peshë gjithnjë e më të madhe po merr edhe energjia diellore. Kapaciteti i instaluar i impianteve fotovoltaike arriti në 631.07 MW, që përfaqëson rreth 18% të kapacitetit total të instaluar në vend. Prodhimi nga këto impiante ishte 832.3 GWh, ose rreth 11% e prodhimit total për vitin 2025.
Në total, gjatë vitit 2025 operuan 52 centrale fotovoltaike, nga të cilat 42 kanë kontrata shitblerjeje me Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL), ndërsa pjesa tjetër operon në treg të lirë me çmime të parregulluara.
Raporti nënvizon gjithashtu hyrjen në prodhim të kapaciteteve të reja gjatë vitit. Në 2025 u vunë në funksion 21 impiante, përfshirë 13 centrale fotovoltaike dhe 8 hidrocentrale, me një kapacitet total të instaluar prej 262 MW. Nga kjo fuqi, 181.98 MW i përkasin burimeve fotovoltaike dhe 80.02 MW atyre hidrike.
Këto impiante të reja gjeneruan 182,031 MWh, duke kontribuar me rreth 2.43% në prodhimin total të energjisë elektrike në vend për vitin 2025.
Nga ana tjetër, projekti fotovoltaik i Digës së Qyrsaqit (HEC Vau i Dejës) nuk ishte operativ gjatë vitit 2025 për shkak të një defekti të ndodhur në gjysmën e dytë të vitit 2024. Sipas KESH, janë në proces masa rehabilituese me synim rikthimin në funksion brenda vitit 2026. /ekofin.al







