Turizmi shqiptar ka hyrë në një fazë paradoksale: nga njëra anë po shënon kulme historike në numrin e vizitorëve, netët e qëndrimit dhe peshën në ekonomi, ndërsa nga ana tjetër vijon të mbartë një hendek të madh fiskal, sidomos në segmentin e akomodimeve afatshkurtra. Kjo është teza kryesore e analizës më të fundit të ALTAX, sipas së cilës viti 2025 e gjeti turizmin me 12.46 milionë vizitorë, me rreth 26.4% kontribut në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe me një rol përcaktues në të ardhurat publike, por edhe me një humbje fiskale të vlerësuar në 40 deri në 60 milionë euro në vit nga informaliteti, kryesisht në tregun e qirave afatshkurtra.
Sipas raportit, sektori turistik gjeneroi në vitin 2025 rreth 5.5–5.7 miliardë euro shpenzime turistike dhe 970 milionë deri në 1.23 miliardë euro të ardhura fiskale qendrore, çka e vendos atë si një nga kolonat kryesore të ekonomisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, industria e turizmit dhe aktivitetet e lidhura me të llogaritet të kenë punësuar mbi 270 mijë persona, ndërsa efekti shumëfishues i sektorit në ekonomi vlerësohet 2.6–2.8 herë. Por ALTAX nënvizon se rritja e vrullshme e sektorit nuk është shoqëruar me të njëjtin nivel kapjeje fiskale, duke krijuar atë që e cilëson si “asimetria fiskale e turizmit shqiptar”.
Në epiqendër të problemit vendoset tregu i akomodimeve afatshkurtra, i njohur si STR, ku përfshihen kryesisht ofertat në platformat si Airbnb dhe Booking.com. Raporti vlerëson se ky treg ka një xhiro bruto prej 130 deri në 170 milionë euro në vit, ndërsa 70% deri në 80% e njësive operojnë jashtë sistemit formal. Vetëm nga Airbnb, sipas të dhënave të integruara në analizë, në vitin 2024 rezultonin 8,472 subjekte ose individë aktivë, me 39.7 milionë euro rezervime totale dhe komisione prej 1.74 milionë euro. Në anën tjetër, Booking.com rezulton platforma dominuese, me rreth 17,225 subjekte dhe me një volum të vlerësuar prej rreth 107 milionë eurosh në baza vjetore.
Pikërisht këtu, sipas ALTAX, krijohet boshllëku më i madh mes ekonomisë reale dhe asaj që kapet nga sistemi tatimor. Analiza evidenton se tregu është shumë i fragmentuar, me operatorë të vegjël dhe sezonalë, por ndërkohë është thuajse tërësisht i dixhitalizuar, pasi pagesat dhe rezervimet kalojnë përmes platformave. Pra, problemi nuk është mungesa e gjurmueshmërisë së transaksioneve, por mungesa e një mekanizmi ligjor dhe administrativ që t’i kthejë këto të dhëna në tatim të mbledhur realisht. Me fjalë të tjera, sektori nuk është “i padukshëm”, por i “pakapur” fiskalisht.
Raporti argumenton se hendeku fiskal nuk vjen vetëm nga mospagimi i TVSH-së apo tatimit mbi të ardhurat në akomodim, por edhe nga efekti zinxhir në restorante, bare dhe shërbime të tjera turistike informale. Sipas vlerësimit të ALTAX, short-term rentals përbëjnë 50% deri në 60% të humbjeve totale fiskale, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes restoranteve e bareve informale dhe shërbimeve turistike cash-intensive, si guida, transport apo aktivitete të tjera. Kjo e bën problemin jo thjesht çështje të deklarimit të disa apartamenteve në platformat online, por një deformim më të gjerë të konkurrencës në gjithë ekonominë e turizmit.
Një tjetër element i fortë i analizës është dimensioni gjeografik i informalitetit. Bregdeti shqiptar, veçanërisht Vlora, Durrësi, Fieri dhe zona e Rivierës, përqendron 65% deri në 70% të tregut STR dhe njëkohësisht mbart nivelin më të ulët të formalizimit. Sipas raportit, humbjet fiskale në këto zona arrijnë në rreth 20 deri në 35 milionë euro, ndërsa Tirana, falë profilit më urban dhe aktivitetit gjatë gjithë vitit, paraqet një formalizim disi më të lartë dhe humbje më të kufizuara. Kjo do të thotë se lufta ndaj hendekut fiskal në turizëm nuk mund të jetë uniforme, por duhet të fokusohet me prioritet aty ku përqendrohet fluksi më i madh i të ardhurave informale.
ALTAX identifikon tri boshllëqe kryesore që riprodhojnë këtë situatë: boshllëkun ligjor, pasi platformat si Airbnb dhe Booking.com nuk trajtohen ende nga kuadri shqiptar si agjentë raportues tatimorë; boshllëkun administrativ, sepse kontrolli manual i mijëra operatorëve të shpërndarë është praktikisht joefikas; dhe boshllëkun analitik, pasi mungon një bilanc i qartë mes rritjes së turizmit dhe nivelit real të formalizimit fiskal të tij. Kjo, sipas raportit, bën që Shqipëria të masë suksesin kryesisht me numrin e vizitorëve dhe netët e qëndrimit, por jo me konvertimin e kësaj rritjeje në të ardhura publike të qëndrueshme.
Për të dalë nga kjo situatë, analiza propozon një reformë në tre faza, të mbështetur në logjikën e direktivës europiane DAC7. Faza e parë parashikon raportim të detyrueshëm nga platformat dixhitale që në vitin 2026, faza e dytë vendosje të mbajtjes në burim të TVSH-së dhe tatimit mbi të ardhurat nga vetë platformat në vitin 2027, ndërsa faza e tretë synon harmonizimin e plotë me standardet europiane nga 2028 e në vijim. Sipas ALTAX, kjo mund të sjellë 25 deri në 40 milionë euro të ardhura shtesë në vit dhe të reduktojë 70% deri në 90% të hendekut aktual fiskal. /ekofin.al







