Plot 406,900 km (252,756 milje) është rruga që kanë përshkuar gjatë misionit 10-ditor ekuipazhi i misionit Artemis II.
Nga një ngritje spektakolare deri te një “ulje perfekte”, udhëtimi i ekuipazhit prej katër astronautësh të misionit Artemis II është konsideruar si një nga përvojat më të jashtëzakonshme të eksplorimit hapësinor.
Komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialistet e misionit Christina Koch dhe Jeremy Hansen janë njerëzit e parë që udhëtojnë drejt Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli. Pas një udhëtimi 10-ditor, ata janë rikthyer të sigurt në Tokë, duke u ulur në Oqeanin Paqësor.
NASA synon që misionet e saj të ardhshme të çojnë në rikthimin e njeriut në sipërfaqen e Hënës deri në vitin 2028, një objektiv ambicioz që po shihet si fillimi i një epoke të re eksplorimi hapësinor. Ky mision, i cili pa astronautët të fluturonin rreth fqinjit më të afërt të Tokës, konsiderohet si bazë për uljet e ardhshme hënore.
Sipas planeve të NASA-s, kjo fazë hap rrugën për ndërtimin e një baze të përhershme në Hënë.
Gjatë udhëtimit, ekuipazhi ka arritur më thellë në hapësirë se kurrë më parë, duke studiuar Hënën nga afër, duke e fotografuar, skicuar dhe regjistruar përmes shënimeve zanore. Sipas astronautit Glover, ajo që panë ishte aq mbresëlënëse sa “asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë plotësisht”.
Ndërkohë, publiku në Tokë ka ndjekur nga afër këtë mision historik, duke përjetuar së bashku me ekuipazhin emocionet e një udhëtimi drejt hapësirës dhe Hënës







