Ballina Lifestyle Pse nuk është mirë të dish gjithçka për partnerin tënd? Flet ekspertja...

Pse nuk është mirë të dish gjithçka për partnerin tënd? Flet ekspertja e intimitetit

72
0

Edhe pse shumica e njerëzve besojnë se të dish absolutisht gjithçka rreth partnerit tënd është çelësi i një marrëdhënieje të suksesshme, një eksperte e intimitetit shpjegon pse të kërkosh vazhdimisht “red flags/flamujt e kuq” të dikujt mund të mos jetë ideja më e mirë.

Rezulton se të dish çdo detaj të së kaluarës së partnerit tënd nuk është e nevojshme për një marrëdhënie të fortë.

Ekziston një vijë e hollë ndarëse midis njohjes së dikujt mjaftueshëm mirë dhe asaj të njohurisë së tepërt. A është vërtet e rëndësishme të dish për incidentin në shkollë që e çoi partnerin tënd në zyrën e drejtorit sepse i kishte futur çamçakëz në flokët e një vajze? Ndoshta jo. Nga ana tjetër, a ke nevojë të dish nëse partneri yt dëshiron fëmijë dhe e sheh martesën në të ardhmen e tij? Shumë do të pajtoheshin se kjo është thelbësore.

Është mirë të jesh i vetëdijshëm për planet e partnerit tënd për të ardhmen nëse ke ndërmend të jesh pjesë e tyre, por Lemon Meyer, një konsulente intimiteti dhe menaxhere editoriale në Bloom Stories, këshillon që të mos gërmosh “skelete” nga e kaluara e dikujt.

“Intimiteti i vërtetë ndërtohet mbi besimin, jo mbi sigurinë. Ne priremi të mendojmë se kur jemi të dashuruar, e njohim partnerin tonë më mirë se kushdo tjetër. Por në realitet, është e pamundur të dish absolutisht gjithçka për dikë – dhe nuk duhet ta dish”, tha Meyer.

“Mund të tingëllojë e çuditshme, por kjo është ajo që i bën marrëdhëniet të suksesshme. Në vend që të kërkoni vazhdimisht ‘skelete në dollap’, duhet të keni besim. Nga ana tjetër, partneri juaj duhet t’ju besojë juve”, shtoi ajo.

Meyer thekson se ka mënyra për të ndërtuar besim.

“Është e rëndësishme të jesh i sinqertë në lidhje me dëshirat dhe nevojat e tua. Është po aq e rëndësishme të zhvillosh biseda të vështira, edhe nëse preferon t’i shtysh ato. Dobësia e ndërsjellë mund të forcojë intimitetin dhe t’ju afrojë më shumë.”

Ajo përfundon: “Në fund të fundit, të jesh i dashuruar do të thotë të pranosh se nuk do ta njohësh kurrë plotësisht dikë, por megjithatë t’i besosh atij”.