Në një kohë kur Bashkimi Evropian ka bllokuar fondet IPARD, si pasojë e abuzimeve të qeverisë së tij, kryeministri Edi Rama fajësoi fermerët për mungesën e tregut dhe problematikat në bujqësi, duke thënë se shkaku i kësaj situate është mungesa e bashkimit të tyre. Gjatë një bashkëbisedimi me fermerë në Lushnjë, Rama u kërkoi fermerëve të bashkohen.
Në vijim të propagandës për të mbuluar bllokimin e negociatave, Rama pranoi se, sa i takon sektorit të bujqësisë, Shqipëria nuk është gati për të hyrë në Bashkimin Evropian edhe për 10 vjet të tjera. Madje situatën e degraduar në këtë sektor, të evidentuar nga institucionet e Brukselit, ua ka shitur fermerëve si arritje të tij.
Në krah të Belinda Ballukut, duke i bërë karshillëk SPAK-ut që po e heton ish-zëvendësen e tij për abuzime me tenderat, Rama sulmoi mediat dhe kritikët, duke pretenduar sërish se nuk ka bllokim të negociatave me Bashkimin Evropian dhe integrimi vijon sipas planit.
Në takimin me fermerët, Rama u përpoq të zhvendosë debatin nga paratë tek “mentaliteti”. Sipas tij, sot problemi nuk është më mungesa e financimit, por mënyra se si njerëzit e shohin bujqësinë dhe paragjykimet që krijohen rreth saj. Në këtë logjikë, pengesa kryesore duket se nuk janë arat e mbushura me borxhe apo prodhimet që shpesh shiten nën kosto, por “tenxheret mediatike” dhe “pazari i thashethemeve të Tiranës”.
“Nuk është paraja çështja jonë kryesore sot”, tha Rama, duke shtuar se sfida është të kuptohet se si mund të sigurohet paraja për të ecur përpara.
Për fermerët që prej vitesh ankohen për mungesën e mbështetjes, kjo deklaratë tingëllon si një paradoks i vogël politik: paratë nuk janë problemi, por duhet të gjejmë mënyrën për të siguruar para.







