Ballina Aktualitet SPAK: Komisioni favorizoi konsorciumin Pacolli–Ademi në koncesion

SPAK: Komisioni favorizoi konsorciumin Pacolli–Ademi në koncesion

85
0

SPAK thotë se nga hetimet 5-vjeçare ka mundur të provojë se shtatë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë favorizuar bashkimin e shoqërive “Mabco Contruksion” të Behgjet Pacollit, “Yda Group” dhe “2A Group” të Valon Ademit, në kualifikimin dhe shpalljen fitues të procedurës së koncesionit.

Referuar burimeve, hetimet për këtë çështje nisën pas kallëzimit të bërë nga shoqëria “AL-DE Corporaction” Ltd nëpërmjet shtetasit Aldi Çeli, kompani e cila ishte përjashtuar nga gara.

Nga hetimet rezulton se shoqëritë “Mabco Construksion”, “YDA Group” dhe “2A Group” kanë patur problematika me dokumentacionin e nevojshëm. Megjithatë, anëtarët e komisionit të dhënies me koncesion nuk e kanë konstatuar një fakt të tillë, por i kanë kualifikuar dhe shpallur fitues në kundërshtim me rregullat e procedurës konkuruese.

Sipas SPAK, operatorët ekonomikë nuk kanë dorëzuar bilancet dhe raportet e auditimit për vitet e kërkuara. Konkretisht, shoqëria “2A Group” për vitin 2016 dhe shoqëria “Mabatex” për vitin 2019.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se “Mabco Construksion” dhe “Yda Group” nuk kanë dorëzuar dokumentacionin për përfituesin fundor të aksioneve apo tabelën ku të përcaktohen përqindjet e secilit aksioner.

SPAK thotë më tej se një prej kompanive duhet të provonte se kishte bërë renovimin e 10 pistave gjatë 10 viteve të fundit, ndërtimin e të paktën dy terminaleve në 15 vitet e fundit, si dhe ndërtimin e një kulle të trafikut ajror gjatë 15 viteve të fundit.

“Nga hetimet rezulton se kjo kërkesë nuk është përmbushur nga shoqëritë Mabco dhe Yda Group”, thekson SPAK.

Për këto shkelje, shtatë anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit u është komunikuar akuza e “shkeljes së barazisë në tendera”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet për zyrtarët e lartë vijojnë.

Kjo lëvizje e SPAK vjen në një kohë kur dy aksionerët Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi ndodhen në kulmin e përplasjeve mes tyre, mes një morie padish civile dhe kallëzimesh penale të depozituara kundrejt njëri-tjetrit.