Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Bajram Currit, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit dhe një të plagosur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë kanë shpallur në kërkim shtetasin A. I., 26 vjeç, banues në Bajram Curri.
Sipas informacionit zyrtar, më datë 10.04.2026, rreth orës 23:00, në ambientet e një lokali në qytet, pas një konflikti verbal mes disa shtetasve, dyshohet se 26-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve S. M. dhe S. D., 18 vjeç.
Si pasojë e të shtënave, është plagosur në dorë shtetasi S. M., i cili ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar për në banesë.
Policia bën me dije se vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







