Mesfushori i Manchester United, Manuel Ugarte, është ofruar te disa klube të mëdha të Serie A, përfshirë Juventus, Napoli dhe AC Milan, sipas gazetarit Nico Schira.
Sipas raportimeve, agjenti i tij Jorge Mendes po shqyrton aktivisht opsionet për një transferim të mundshëm në Itali gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa Juventusi thuhet se e ka ndjekur nga afër lojtarin në javët e fundit.
Ugarte iu bashkua Manchester United në vitin 2024 nga Paris Saint-Germain me një kontratë afatgjatë, por e ardhmja e tij në “Old Trafford” është vënë në pikëpyetje në kuadër të ndryshimeve të mundshme në skuadër.
Pavarësisht pritshmërive të larta, 25-vjeçari ka pasur vështirësi për të treguar vazhdimësi në performancë, ndërsa mbetet një profil i vlerësuar në treg për shkak të intensitetit dhe aftësive të tij në rikuperimin e topit.
Vlera e tij llogaritet rreth 35 milionë funte, ndërsa Serie A shihet si një destinacion i mundshëm për një kapitull të ri në karrierën e mesfushorit uruguaian.







