Ballina Sport Jos Verstappen mohon tërheqjen: Maks do të vazhdojë në Formula 1

Jos Verstappen mohon tërheqjen: Maks do të vazhdojë në Formula 1

44
0
Qetësi e plotë në kampin e Maks Vershtapenit pas lajmit për largimin e inxhinierit të tij të pistës dhe bashkëpunëtorit të besuar, Xhanpiero Lambiase, i cili do të transferohet te MekLareni në fund të vitit 2027 për të punuar me Andrea Stelën duke filluar nga viti 2028.

Së fundmi u shtuan zërat se kjo lëvizje mund të ishte një hap paraprak për një transferim të pilotit në vitin 2029 (kontrata e tij me Red Bull skadon në 2028), por babai i tij, Jos Vershtapen e minimizon plotësisht këtë mundësi. “E dinim prej kohësh dhe gjithashtu e dinim kur do të ndodhte”, ka deklaruar Jos për “RaceXpress”, ndërsa më pas shton: “Kemi edhe një vit e gjysmë deri në dy vite për të punuar me të dhe është një mundësi shumë e mirë për të, kështu që e kuptojmë. Madje i thamë që ta shfrytëzojë maksimalisht. Pas kësaj, i takon Red Bullit të gjejë një zëvendësues, do të shohim,” tha ish-piloti për situatën e krijuar, duke zbuluar kështu se ishin të informuar dhe madje e kanë inkurajuar këtë hap.

Sa i përket të ardhmes së Maks Varshtapenit dhe zërave që vijnë nga Holanda, të nxitura nga pakënaqësia e katër herë kampionit për rregulloren e re, babai i tij ka dhënë një mesazh qetësues, duke mohuar një tërheqje të pilotit holandez nga Formula 1. “Mendoj se gjërat kanë ndryshuar”, shprehet Jos. “Sigurisht, pas katër titujve, kanë arritur shumë së bashku, por kjo varet nga Maksi… Megjithatë, mendoj se ai thjesht do të vazhdojë”, parashikon babai i pilotit për të ardhmen e afërt.

Gjërat ndryshojnë shumë shpejt në Formula 1 dhe në Majami mund të shohim një “RB22” rrënjësisht të ndryshuar, me më pak peshë dhe me ngarkesë aerodinamike më të mirë, çka mund t’i rikthejë ata në garë për podiume dhe ta bëjë situatën më të favorshme.