Ballina Ekonomia Kosova në vend të tretë për investime në Shqipëri

Kosova në vend të tretë për investime në Shqipëri

55
0

Kosova renditet si investitori i tretë në Shqipëri sipas Odës Ekonomike në Prishtinë.

“Investimet e kompanive kosovare në Shqipëri tani janë çdo vit e më shumë. Në qoftë se i shohim të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku prej vitit 2014 deri më tani ka arritur në 520 milionë euro. Kosova në Shqipëri renditet si investitori i tretë, për vitin 2025 ka investuar rreth 186 milionë“, u shpreh Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Krahas ndërtimeve përgjatë vijës bregdetare, bizneset kosovare po zgjerojnë rrjetet e shitjes me pakicë e shumicë në vendin tonë.

Tani është zgjeruar edhe gama e investimeve në sektorë të ndryshëm. Nëse më herët ka prirë sidomos sektori i ndërtimit, i cili vazhdon ende përgjatë vijës bregdetare, ku kompanitë kosovare janë duke ndërtuar me të madhe lagje të tëra e hotele, ndërkohë kemi edhe zgjerim të sektorit të rrjeteve të shitjeve me pakicë e shumicë, si dhe sektorë të tjerë“, shton ai.

Sipas Rafunës, qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta bërë Kosovën një ambient më miqësor për biznesin.

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thekson se kapitali i Kosovës po zgjeron investimet në Shqipëri dhe në shtetet e tjera të rajonit.

Ne po flasim tani për Shqipërinë, ku vërehet, do të thotë, një fluks i madh i kapitalit kosovar, ku në vitin 2025 ka qenë më tepër se 156 milionë në mënyrë të evidentuar. Por besoj që një avaz i tillë i ikjes së kapitalit nga Kosova është evident shumë më tepër në Mal të Zi, shumë më tepër në perëndim, në veçanti në Gjermani, në Austri dhe në Slloveni“, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu kërkon masa nga autoritetet për përmirësimin e ambientit të biznesit brenda Kosovës.

Nuk duhet të na habisë fakti që nga Kosova nuk po ikin vetëm qytetarët, nuk po ikën vetëm biznesi dhe kapitali, por në mënyrë graduale është duke u bartur edhe prodhimi, në veçanti në Maqedoni, në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme. Është koha kur duhet vërtet të bëhet më tepër në përmirësimin e ambientit të biznesit, është koha kur duhet të trajtohet biznesi si partner në zhvillim dhe jo të jetë vetëm për t’u gjykuar“, shtoi Gërxhaliu.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, investimet nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme. Për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Stoku i përgjithshëm i investimeve ka arritur rreth 550 milionë euro, duke reflektuar një prirje të qartë drejt diversifikimit dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik jashtë Kosovës.