Shqipëria po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për shtetasit e huaj, veçanërisht për shtetasit amerikanë, të cilët po e zgjedhin vendin si për turizëm, ashtu edhe për të jetuar.
CNN Travel ka publikuar ditët e fundit një artikull me titull “Më shumë amerikanë po zhvendosen në Evropën Qendrore dhe Lindore”, të autores Blane Bachelor, e cila i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe Shqipërisë, duke zbërthyer arsyet e këtij fenomeni në rritje.
Në artikullin e saj Bachelor thekson se për dekada ëndrra evropiane e qytetarëve amerikanë lidhej ngushtë me metropole si Parisi, Roma apo Barcelona, por rritja e kostove të jetesës dhe shtrëngimi i politikave të vizave po i shtyn ata të zbulojnë një alternativë të re në Gadishullin Ballkanik.
“Një tjetër vend i Evropës Lindore që po fiton terren nga shtetasit amerikanë: Shqipëria, e vendosur në Gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, vendi kishte gati 22,000 të huaj me leje qëndrimi në fund të vitit 2024, më shumë se 3,000 prej të cilëve ishin nga “Amerika, Afrika ose Oqeania” duke shënuar një rritje me gati 25% krahasuar me vitin 2023″, shkruan Bachelor.
Sipas saj, ndërkohë që vendet e “Katërshes së Madhe” të Evropës (Italia, Spanja, Franca dhe Portugalia) po aplikojnë politika imigracioni gjithnjë e më të ashpra, Shqipëria ofron një nga regjimet më bujare të vizave në botë për qytetarët e SHBA-së.
Jen Barnett, bashkëthemeluese e kompanisë Expatsi, e cila asiston amerikanët në proceset e zhvendosjes jashtë vendit, e rendit Shqipërinë lart në listën e saj të rekomandimeve.
“Mblidh një çantë dhe nisu,” shprehet Barnett për CNN. “Mund të jetosh me 1,000 dollarë në muaj, kështu që është një vend i shkëlqyer për të filluar një biznes pune në distancë. Nëse vendos të qëndrosh më gjatë pas atij viti të parë, mund të aplikosh lehtësisht për një vizë nomade digjitale”, thekson Barnett.
Në një postim në rrjetet sociale ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vlerësoi fokusin e mediave ndërkombëtare për Shqipërinë duke cituar artikullin e publikuar nga CNN Travel.
“Sipas CNN, vendi ynë po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për shtetasit amerikanë, falë kostos së ulët të jetesës dhe politikave të qëndrimit. Me mijëra të huaj zgjedhin të jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe vendi po fiton terren për të tërhequr nomadët digjitalë dhe sipërmarrësit globalë. Një Shqipëri më e hapur dhe gjithnjë e më tepër e pranishme në hartën ndërkombëtare”, theksoi Gonxhja.
Interesi i qytetarëve amerikanë dhe jo vetëm për Shqipërinë lidhet me natyrën e paprekur, vijën bregdetare të bukur, koston relativisht të ulët të jetesës dhe mikpritjen tradicionale shqiptare.
Qytete si Tirana, Saranda dhe Vlora janë ndër destinacionet më të preferuara, duke ofruar një kombinim të jetës urbane, plazheve dhe trashëgimisë kulturore.
Përveç turizmit, gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po shfaqin interes për të investuar në pasuri të paluajtshme apo për të zhvilluar aktivitete biznesi në vend, duke përfituar nga klima e favorshme dhe mundësitë në rritje të tregut shqiptar.







