Ballina Aktualitet Shqipëria, nga sekret i fshehur në trend global falë influencerave

Shqipëria, nga sekret i fshehur në trend global falë influencerave

63
0

Vitet e fundit udhëtimet në mbarë botën nuk po planifikohen më bazuar vetëm tek guidat turistike, por edhe nga përvojat reale të ndara në rrjetet sociale.

Njerëzit kanë prirjen të udhëtojnë e të prekin nga afër vende dhe destinacione që i shohin shpesh në rrjetet sociale, sidomos kur ato rekomandohen nga udhëtarë me eksperiencë apo njerëz të famshëm.

Shqipëria sapo u rizbulua nga të huajt pak vite më parë fitoi popullaritet në rrjetet sociale, në faqet e udhëtimeve apo në blogje personale të atyre që e vizituan “rastësisht” por që u mahnitën dhe nuk reshtin së rekomanduari “vendin e shqiponjave” siç e përshkruajnë me peizazhe si ato të Maldiveve.

Kështu, Shqipëria u kthye në një nga destinacionet më të përfolura nga influencer-at e huaj të cilët po zbulojnë dhe promovojnë bukuritë e saj tek miliona ndjekës në mbarë botën duke plotësuar në këtë mënyrë punën e autoriteteve për promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare.

Nga blogerë udhëtimesh tek krijues përmbajtjeje në Instagram dhe TikTok, figura të njohura ndërkombëtare po ndajnë me ndjekësit e tyre pamje mahnitëse nga riviera shqiptare, me ujëra të kristalta dhe plazhe të paprekura që shpesh krahasohen me plazhet më të bukura në botë,  si Maldivet, Karaibet, apo ishujt e Greqisë.

Videot virale nga Ksamil, Dhërmiu,  Himara, Saranda, Vlora etj kanë tërhequr vëmendjen  duke nxitur kureshtjen e turistëve që kërkojnë destinacione të reja dhe më pak të mbipopulluara.

Përtej plazheve, këta influencera zbulojnë edhe thesaret historike dhe kulturore të vendit, qytetet historike si Berati, Kruja,  Gjirokastra, Shkodra, parqe kombëtare, monumente kulture.

Një vend të rëndësishëm në postimet e tyre zë edhe natyra me bukuritë e saj që nga veriu deri në jug të vendit.

Influencer të njohur dhe youtuber si Drew Binsky, Kara and Nate, Rick Steves,Wolters World, Speed, Kaz Crossley, fotografët Shirley Mosselman, Eric Franke, blogerja e udhëtimeve Anita Hendrieka, etj kanë publikuar video që tregojnë jo vetëm bukurinë e bregdetit, por edhe autenticitetin që e dallon Shqipërinë nga destinacionet e mbipopulluara.

Një element që përmendet shpesh prej tyre është mikpritja shqiptare. Ata ndajnë histori personale për njerëzit vendas që kanë ngritur bujtina dhe hotele në zonat turistike.

Sipas tyre, njerëzit vendas janë ndër më të ngrohtët dhe më mikpritësit që kanë takuar gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme. Kjo ndjesi i ka bërë ata që ta rekomandojnë Shqipërinë si një destinacion unik.

Nga gatimet e shtëpisë deri tek restorantet tradicionale, ushqimi është një pjesë e rëndësishme e eksperiencës që ata ndajnë me ndjekësit e tyre.

Mark Wins, JetLag Warriors, Eva Zu Beck, Naomi Tomky, Dane and Stacey janë disa prej influencerave që promovojnë në rrjetet sociale por edhe në You Tube video me ushqime nga vende të ndryshme të botës. Në videot e tyre ata kanë publikuar disa nga specialitetet e ndryshme që gatuhen në restorantet shqiptare dhe që sipas tyre turistët që vijnë në Shqipëri nuk duhet të largohen pa i provuar.

Shqipëria me bukuritë e saj ka bërë për vete shumë prej influencera-ve të huaj, të cilët pasi e kanë vizituar kanë zgjedhur të jetojnë në Tiranë.

Ndër ta mund të përmendim Taylor Thomas, çiftin amerikan Alicia Walter dhe Nathan Stark, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Tiranë dhe ndajnë vazhdimisht eksperiencat e tyre për Shqipërinë në Instagram dhe YouTube, duke promovuar natyrën, kulturën dhe stilin e jetesës lokale.

Alice Taylor, gazetarja britanike e cila prej vitesh jeton në Shqipëri krijon përmbajtje që promovon turizmin, kulturën dhe historinë e vendit.

Por, Shqipëria ka edhe të famshmit e saj të cilët nuk hezitojnë të shpallin krenarinë e tyre për vendin, duke përcjellë në rrjetet sociale pamje të qyteteve historike, plazheve të kaltër e shtigjeve malore.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa vijon të promovojë Shqipërinë përmes pushimeve, postimeve dhe iniciativave si festivali Sunny Hill Festival, duke tërhequr vëmendje globale.

Gjithashtu këngëtarja me famë botërore Rita Ora poston shpesh nga Shqipëria dhe Kosova, duke theksuar kulturën, natyrën dhe krenarinë për origjinën e saj.

Bebe Rexha ka ndarë shpesh përvoja nga vizitat në Shqipëri me miliona ndjekës të saj në rrjetet sociale, ndërsa këngëtarja Ava Max promovon identitetin shqiptar në intervista dhe në rrjetet sociale, duke e bërë më të njohur për publikun ndërkombëtar.

Një mbështetës i fortë i Shqipërisë është edhe aktori i njohur me origjinë shqiptare James Belushi, apo aktorja Eliza Dushku, e cila ka promovuar Shqipërinë si ambasadore kulture dhe ka ndarë lidhjen e saj me vendin e origjinës. Por nuk ngelen pas edhe futbollistë të njohur si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Armando Broja, Kristian Asllani etj.

“Një vend me natyrë të fuqishme, male, lumenj, liqene dhe det”; “Male, lumenj, liqene dhe plazhe… Shqipëria ka gjithçka”; “Më mirë se Santorini dhe shumë më lirë”; “Na la mbresa bregdeti i Shqipërisë. Ndihet si Mesdheu para turizmit masiv; “Riviera e Shqipërisë ka nga pak nga gjithçka”; Shqipëria një vend për t’u çlodhur, jetuar, investuar dhe eksploruar”; “Shqipëria një nga vendet më të nënvlerësuara që kam vizituar ndonjëherë. Njerëz të mrekullueshëm, çmime të lira dhe natyrë mahnitëse”; “Ushqimi në Shqipëri është i jashtëzakonshëm—i freskët, i shijshëm dhe plot traditë. Nuk e prisja të ishte kaq i mirë”, janë këto disa nga citimet që influencerat kanë shoqëruar publikimin e fotove apo videove në Instagram dhe Tiktok.

Në një kohë kur turizmi masiv po mbingarkon shumë destinacione, Shqipëria mbetet ende një vend për t’u zbuluar, një aventurë e vërtetë për ata që kërkojnë diçka ndryshe.

Shqipëria nuk po promovohet vetëm si një destinacion turistik, por si një përvojë që duhet jetuar. Rekomandimet autentike nga influencerat kanë një fuqi të madhe për të formësuar zgjedhjet e udhëtarëve.

Shqipëria sot nuk është më një sekret i fshehur, por një trend në rritje, ku falë edhe zërit të influencerave të huaj, ajo po zë vendin që meriton në hartën globale të turizmit.