Ballina Kronika Tiranë/ Rrëmbyen dhe dhunuan një 32-vjeçar për para, arrestohen 2 persona, një...

Tiranë/ Rrëmbyen dhe dhunuan një 32-vjeçar për para, arrestohen 2 persona, një në kërkim

78
0

Një operacion policor i koduar “Hijet” është finalizuar në Tiranë, duke çuar në zbardhjen e një rasti të rëndë rrëmbimi dhe dhune për qëllime përfitimi financiar.

Sipas njoftimit zyrtar, tre persona dyshohet se kanë marrë me forcë një 32-vjeçar më 31 mars 2026, duke e transportuar në një ambient privat në Xhafzotaj, ku e kanë mbajtur për disa orë nën kërcënim dhe dhunë fizike, me synim për t’i marrë një shumë parash.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë nga viktima.

Në kuadër të ndërhyrjes policore, u vunë në pranga dy prej autorëve të dyshuar, shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër, J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 5 automjete, 5 telefona celularë, një shumë parash si dhe sende të tjera të kundërligjshme që pritet të shërbejnë si prova materiale në hetim.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.