Ballina Aktualitet Tendera pafund për mirëmbajtje rrugësh, por akset nuk kanë as vijëzim në...

Tendera pafund për mirëmbajtje rrugësh, por akset nuk kanë as vijëzim në kulm të sezonit turistik

74
0

Shqipëria po pret këtë sezon turistik një fluks vizitorësh që llogaritet sa gjashtëfishi i popullsisë së saj, ku rreth 66.3% e tyre zgjedhin të hyjnë nëpër pikat kufitare tokësore me automjetet e tyre personale. Megjithatë, kushdo që ka udhëtuar përgjatë dy muajve të fundit nëpër akset kryesore të vendit, është përballur me një realitet zhgënjyes dhe tejet të rrezikshëm: rrugë të pavijëzuara dhe pa sinjalistikën minimale horizontale.

Ky shqetësim, i ngritur nga kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA-Horeca), nuk përbën thjesht një defekt estetik të infrastrukturës sonë rrugore, por një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe turistëve të huaj.

Mjafton të kalosh kufirin drejt vendeve fqinje, si Mali i Zi, Greqia apo Kroacia, për të vënë re ndryshimin e madh: rrugë të mirëmbajtura me standarde, vijëzim të qartë dhe sinjalistikë funksionale.

Në Shqipëri, mungesa e vijëzimit horizontal sjell pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë rrugore. Rritet rreziku për aksidente, sidomos gjatë orëve të natës, apo në kushtet e motit të keq apo me reshje.

Gjithashtu, sipas konstatimit të Topuzit, makinat e reja të turistëve të huaj, të pajisura me sisteme moderne të sigurisë si Lane Assist (Sistemi i Ndihmës për Mbajtjen e Korsisë), dalin jashtë funksionit në mungesë të vijave ndarëse, duke e lënë shoferin pa mbështetjen teknologjike të automjetit.

Situata bëhet edhe më absurde kur bëhet fjalë për sinjalistikën vertikale. Tabelat e kufizimit të shpejtësisë vendosen çdo 200–300 metra, shpesh me ndryshime drastike dhe pa asnjë kriter teknik të qartë.

Në vend që të zbatohen standardet e duhura inxhinierike në pikat e hyrje-daljeve të rrugëve dytësore, autoritetet zgjedhin të vendosin tabela si një “zgjidhje” artificiale dhe burokratike, e cila vetëm sa rrit konfuzionin e drejtuesve të mjeteve.

Kreu i Shoqatës së Turizmit thekson se hapat e hedhur drejt modernizimit, si vendosja e kamerave inteligjente apo monitorimi i akseve rrugore me dronë janë nisma pozitive që synojnë disiplinimin e qarkullimit. Por, lind një pyetje e drejtë dhe parimore: A duhet që shteti të përmbushë detyrimet e tij standarde, përpara se të kërkojë penalizimin dhe gjobitjen e qytetarëve përmes teknologjisë?

Nuk mund të kërkohet standard evropian ndëshkimi nga drejtuesit e mjeteve, kur infrastruktura rrugore ofron standarde të vendeve në zhvillim.

Çdo muaj në sistemin e prokurimeve publike hapen tendera miliona euro për mirëmbajtjen e rrugëve. Përkundër kësaj, situata në terren mbetet skandaloze. Pyetja që natyrshëm ngrihet është: Ku shkojnë këto fonde?

Për sa kohë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe fondet publike nuk përkthehen në vijëzim, siguri, sinjalistikë dhe standarde reale rrugore në kulmin e sezonit turistik, imazhi i Shqipërisë si destinacion turistik do të vazhdojë të mbahet peng i keqmenaxhimit dhe mungesës së llogaridhënies./ekofin