Të paktën 30 persona kanë humbur jetën në një tragjedi të rëndë në Conakry, kryeqytetin e Guinesë, pasi një masiv mbetjesh u shemb nga një landfill dhe përfshiu banesat pranë tij.
Mbi 20 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes tonelatave të mbetjeve, pasi dyshohet se mund të ketë ende persona të bllokuar.
Ngjarja ndodhi pas reshjeve të dendura të shiut, të cilat duket se kanë shkaktuar shembjen e masivit të mbetjeve. Autoritetet kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa trupat e viktimave janë dërguar në morg.
Ministrja e Administrimit Territorial të Guinesë, Djenabou Touré, e cila vizitoi vendngjarjen, tha se autoritetet do të japin një bilanc zyrtar pasi të përfundojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Paralajmërimet për rrezikun duket se nuk u mjaftuan. Qeveria kishte urdhëruar më herët evakuimin e banorëve dhe marrjen e masave të sigurisë përreth landfillit, për shkak të frikës nga shembje të tjera. Banorëve pranë zonës u ishin dërguar edhe njoftime për lirimin e banesave.
Landfilli, një prej më të mëdhenjve në qytet, ishte planifikuar të mbyllej të dielën. Megjithatë, shumë banorë vijonin të jetonin në zonën përreth në momentin kur ndodhi katastrofa.







