Ballina Europë Hakerët pro-rusë vendosin në shënjestër Antonio Tajani-n, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm...

Hakerët pro-rusë vendosin në shënjestër Antonio Tajani-n, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian: Nuk do të frikësohem

121
0

Një sulm kibernetik ndaj një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë italiane ka ngritur shqetësime për sigurinë e institucioneve dhe zyrtarëve të lartë të vendit. Antonio Tajani, zëvendëskryeministër i Italisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se prej disa ditësh hakerë pro-rusë po publikojnë të dhënat e tij personale në Dark Web, ndërsa kërkojnë informacione të tjera për të dhe familjarët e tij.

Tajani, i cili mban njëkohësisht dy funksione të rëndësishme në ekzekutivin e kryeministres Giorgia Meloni, reagoi përmes një deklarate në rrjetin social X, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë që kërcënimet të ndikojnë në punën dhe angazhimin e tij institucional.

“Kriminelë informatikë prej ditësh kanë publikuar të dhënat e mia personale në Dark Web dhe po kërkojnë informacione të tjera, duke më ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe intimidimeve të reja. Këto përfshijnë edhe familjen time. Ata janë të gatshëm të paguajnë për informacione të tjera rreth meje dhe njerëzve të mi të afërt”, deklaroi Tajani.

“Reagimi im është shumë i thjeshtë, unë nuk do të frikësohem në asnjë mënyrë. Do të vazhdoj të punoj për të mbrojtur ministrinë time dhe Italinë. Do të forcoj gjithnjë e më shumë lidhjet dhe bashkëpunimin me aleatët tanë, në mënyrë që të mbrohemi së bashku”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm italian e lidh motivimin e sulmeve me qëndrimin politik të qeverisë së Romës në mbështetje të Ukrainës, e cila prej vitesh përballet me agresionin rus.