Ballina Dossier Namik Dokle i PS-së do ta quante shpërthimin në Gërdec si “Çernobli...

Namik Dokle i PS-së do ta quante shpërthimin në Gërdec si “Çernobli shqiptar”

90
0

Dosier/Debati në parlament 5 ditë pas ngjarjes së Gërdecit, ku për shkak të shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve u vranë 26 banorë të këtij fshati.

Më 15 mars 2008, një shpërthim masiv në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, humbën jetën 26 banorë të këtij fshati, ndër të cilët edhe gra e fëmijë. Ngjarja tronditi Shqipërinë ndërsa institucionet shtetërore përgjegjëse për ngjarjen tragjike, gjetën shpejt justifikimet për ta lënë pa autorë vrasjen e 26 qytetarëve. Ngjarja shkaktoi debate të forta politike kryesisht në sallën e kuvendit të Shqipërisë. Pak ditë pas ngjarjes, opozita thirri në parlament kryeministrin Berisha ku dhe u zhvillua një debat maratonë. Tema sjell detaje të përballjes së kryeministrit të kohës me drejtues të grupit parlamentar të opozitës socialiste. Në fjalën e tij në kuvend, Namik Dokle i PS-së do ta quante shpërthimin në Gërdec si “Çernobli shqiptar” duke i kujtuar Berishës se cila do të ishte sjellja e tij për ngjarjen, nëse në pushtet do të ishin socialistët. Ndërsa Berisha gjente gjithfarëlloj justifikimesh për ngjarjen duke e cilësuar si një fatkeqësi natyrore, Gramoz Ruçi do të përqendrohej pikërisht tek kundërshtia e tendencës së qeverisë për tu shfajësuar me qëllim për të shmangur përgjegjësinë institucionale për vrasjen e 26 qytetarëve. Më poshtë sjellim pjesë nga fjalimi i Namik Doklës, Gramoz Ruçit dhe Berishës në debatin për ngjarjen e Gërdecit në seancën parlamentare.

Namik Dokle –     I obsesuar nga mënyra sesi dikur bënte opozitë dhe politikë me vdekjen, Kryeministri zuri qoshen e përkundërt të ringut dhe na kumtoi një sërë absurditetesh e shfajësimesh për këdo e për gjithçka që ka të bëjë me oborrin e tij qeveritar. Jo, zoti Kryeministër! Ne nuk duam dhe nuk do të bëjmë ring politik me vdekjen, por edhe nuk mund të pranojmë që ju të na thoni neve dhe të gjithë shqiptarëve se Qeveria që ju drejtoni ka pasur vetëm përgjegjësinë e transportit. Çfarë bëtë me këtë transport? Transportuat vdekjen për dhjetëra të pafajshëm, transportuat katastrofën për mijëra njerëz. Është Qeveria juaj që për herë të parë me vendimin nr.138, datë 14 mars 2007, i hapi rrugë tregtisë së vdekjes; i hapët rrugë kësaj tregtie të zezë, sidomos me mënyrën si u zbatua ai vendim. Besoj se kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur nëse ai vendim do të zbatohej në uzinat e Poliçanit apo të Gramshit dhe jo në punishten e një “Alba”debili, që me jetën e njerëzve, me jetën e grave dhe të fëmijëve, madje edhe me jetën e një fëmije në bark të mëmës babëzinte miliona euro.

Duhen gjetur përgjegjësit që minat e korrupsionit u vunë midis Tiranës dhe Durrësit, midis portit dhe aeroportit, midis hekurudhës dhe autostradës. Vendimin për këtë vetëvendosje vrastare të punishtes së vdekjes e kanë dhënë njerëzit tuaj, zoti Kryeministër. Është kjo arsyeja dhe duhen gjetur përgjegjësit që gatuan katastrofën, duke çuar në punishten e vdekjes sasira municionesh dhjetëra herë më të larta nga sa lejojnë masat e sigurisë, vetëm pse në tregun ndërkombëtar është rritur çmimi i tunxhit. Për këta tregtarë banditë çmimi i një kilogrami tunxh vlen më shumë se një jetë njeriu. Po ti, Adam, ku ishe?

Për fat të mirë, vendimi i Këshillit të Ministrave nr.138 për këtë çështje është tepër i qartë kur përcakton se procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura, duke regjistruar me hollësi të dhënat për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe atyre të çmontuara e të çmilitarizuara. Dhe Kryeministri që ka firmosur këtë VKM, redukton përgjegjësinë e Qeverisë së tij vetëm në katër rrota transporti. Qeveria e tij fshihet pas një firme amerikane, e cila i bleu kësaj Qeverie municione të panumërta më 28 dhjetor 2007 dhe vetëm pas tri ditësh ia shiti demek firmës shqiptare për të na plasur Çernobilin shqiptar.

Sali Berisha – Zonja Kryetare,

Sulmi politik është sulm politik dhe spekulimi politik është i papranueshëm.

Ka një vendim shumë të qartë të Këshillit të Ministrave, ku tregohet se cila është praktika që duhet të ndiqet dhe çdo vendim tjetër në mospasqyrim të tij mban përgjegjësitë e veta. Në rast se ju doni që, Kryeministri, që në fund të fundit, ka rolin e drejtimit dhe të koordinimit të të gjitha dikastereve, të bëjë edhe nëpunësin bazë të zyrës… (I flet një deputet nga salla.) Jo, jo, absolutisht. Unë po të përgjigjem. Pra, në rast se thyhet urdhri i Kryeministrit, ai që nuk zbaton urdhrin, ka përgjegjësi.

Edhe një herë dua të theksoj se është jashtë çdo lloji të konceptit tim që të mos njoh përgjegjësinë shtetërore të organeve të caktuara në trajtimin e çështjeve të municionit, të mos di që poligonet e artilerisë janë poligone me kushte të caktuara. Këtu ju shtroni çështjen pse çmontimi nuk u bë në Gramsh e në Skrapar. (I flet dikush nga salla.) Zotëri, nuk është ashtu. Me këto ritme të çmontimit, edhe sikur çmontimi të bëhet në Poliçan dhe Gramsh, do të duhen, së paku, 10 vjet. Nuk ka gjë më të pasigurt në Shqipëri se ky municion. Jam shumë dakord.

(U drejtohet deputetëve të opozitës.) Zotërinj, mos dëgjoni se Poliçani nuk është pa punë nga kjo gjë, se Shqipëria ka 100 mijë tonë armatime.

Që Gërdeci nuk duhet të ishte vendi i çmontimit, e kam thënë dhe e them njëqind herë. Hetoni kush është personi që vendosi që Gërdeci të jetë vendi i çmontimit dhe ai të mbajë përgjegjësi të plotë

Zotërinj, emrin Gërdec e kam dëgjuar për herë të parë në datën 15 mars. Ju thoni, kemi raportet. (Flet një deputet nga opozita.) Është argument, sepse ti ke qenë edhe Kryeministër dhe e di që Kryeministri nuk ka të bëjë fare me vendndodhjet. Si Kryeministër me vendndodhjet e ushtrisë ke të bësh vetëm kur të thotë shefi i Shtabit ose ministri, hajde për vizitë. Kjo është e vërteta, sepse ligji nuk ta jep këtë. Nuk ia jep Kryeministrit, ia jep tjetërkujt.

Në rast se ju faktoni se unë paskam marrë informacione, kontrolloni, zotërinj, se gjithmonë një kopje e kam unë, një kopje e ka dikush tjetër. Kontrollojini!

Gramoz Ruçi – Me tragjedinë e Gërdecit jemi vrarë të gjithë. Ngjarja që mori jetë në rrethinat e Tiranës ka hedhur në erë shumë shpresa, por varrosi edhe iluzionet e fundit për këtë Qeveri në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi të gjithë viktima, njëlloj si ata punëtorët fatkeqë që kërkonin bukën e gojës.

Zoti Kryeministër, argumentet tuaja gjatë kësaj seance kanë qenë vetëm justifikime, për të mbuluar me gjethe fiku atë që dot s’mbulohet: korrupsionin dhe fitimet galoponte, që vinin nga ky aktivitet kriminal, që pa diskutim shoqërohen mbi të gjitha, me trafik armësh, jo të ligjshme, siç thoni ju, por të paligjshme. Këtë nuk e themi vetëm ne, këtë e thonë punëtorët, fëmijët 15-16 vjeçarë.

Ju, zoti Berisha, duhet t’i jepni përgjigje deputetit tuaj “të ngrirë” dhe jo vetëm atij, por edhe shtypit, edhe medias shqiptare, nëse djali juaj është apo jo i përfshirë në këtë histori. Që përtej oqeanit vijnë ca të dhëna drithëruese për miqësinë e tij të çuditshme me pronarin e fabrikës së vdekjes. Shpejt ato do të jehojnë edhe në Tiranë.

Ju, zoti Berisha, duhet të tregoni nëse rastësisht dokumentacioni i kësaj firme ka kaluar edhe nga studioja ligjore e bijës milionere, që ofron asistencë ligjore për të pasurit e veçantë të këtij vendi.

Ju, zoti Berisha, duhet, më së fundmi, të deklaroni sot, ishte apo  nuk ishte në këtë fabrikë i ndjeri, baxhanaku juaj. Kishte ngelur të punonte në këtë fabrikë fatkeqe baxhanaku i Kryeministrit të Shqipërisë, apo ishte supervizor për të numëruar kontenierët, sa hynin dhe sa dilnin?

Kjo gozhdë në trurin dhe në zemrën e të gjithë Shqipërisë, ky individ që i thur himne vdekjes, duhet të ketë një vend të garantuar në histori, ai duhet të jetë simbol i asaj sesi nuk duhet të jetë një politikan sot edhe mot, në këtë vend dhe gjithkund tjetër. Ai duhet të ikë, të largohet, sepse sot vdekja e atyre njerëzve të pafajshëm kërkon drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi, sa kohë që autori bën sikur vrapon të gjejë fajtorët. Gjithë kohën që folët këtu, folët për të shëruar plagët e kësaj fatkeqësie. Nuk mund ta shërojë plagën dora që e ka shkaktuar. Dhe ky njeri është plaga më e madhe e këtij vendi, është fatkeqësia jonë, si atëherë kur jemi në Gërdec, si atëherë kur jemi në Tiranë, si kur njëra palë është në pushtet, si kur tjetra është në opozitë. Këtë e keni kuptuar edhe ju që ndodheni në krahun tjetër të sallës.

Gjejeni kurajën ta pranoni publikisht! Sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë edhe për ju. Ndahuni sa më parë nga njeriu që dëshmoi se di të ndërtojë vetëm antishtet, që ta lini atë vetëm, në përgjegjësinë e tij jo vetëm morale dhe  politike ndaj këtij kombi, por ta lini vetëm edhe në përgjegjësinë e tij penale.