Këshilli Bashkiak i Durrësit është përfshirë nga debate të forta në mbledhjen e tij të fundit, ku pika e nxehtë ka qenë votimi për resortin Lura 5 të biznesmenit Dod Doçi në Gjirin e Lalzit.
Këshilli Bashkiak i Durrësit ishte mbledhur për të votuar ndryshimin e kategorisë për një sipërfaqe pyjore prej 8 mijë metrash katrorë, e cila do të rrafshohet në funksion të ndërtimit të resortit.
Partia Demokratike është shprehur kundër projektit. Tre këshilltarët e saj që ishin të pranishëm në mbledhje kundërshtuan betonizimin e mëtejshëm të bregdetit duke votuar kundër. Por partia tjetër opozitare, ajo e Lirisë shkoi në krahun tjetër.
Këshilltarët e partisë së Ilir Metës, bashkuan votat me Partinë Socialiste dhe me 31 vota pro miratuan ndërtimin e resortit.
Dod Doçi është një nga ndërtuesit më të mëdhenj në bregdetin e Gjirit të Lalzit. Deri më tani ai ka ndërtuar 5 komplekse turistike në këtë zonë, të pagëzuar me emrin Lura.
I fundit në radhë, ai i cili përçau dhe koalicionin opozitar quhet Lura 5.