Ballina Kuriozitete ​Mumia misterioze në Austri, zbulohen detaje të reja

​Mumia misterioze në Austri, zbulohen detaje të reja

18
0

Shkencëtarët gjermanë kanë hedhur dritë mbi një mumie misterioze të ruajtur në një kriptë kishe në fshatin alpin Blasenstein të Austrisë, e njohur si “kapelani i tharë në ajër”.

Trupi i mumifikuar i përkiste Franz Xaver Sidler von Rosenegg, një aristokrat dhe prift që shërbeu si famullitar në këtë kishë deri në vdekjen e tij në vitin 1746, në moshën 37-vjeçare, raporton CNN, përcjell KosovaPress.

Pas një rrjedhjeje uji që çoi në rinovimin e kriptës, shkencëtarët përfituan për të kryer një analizë të thelluar.

Përmes skanimeve CT, analizave kimike dhe datimit me radiokarbon, ata zbuluan një metodë të pazakontë balsamosjeje. Zbrazësia abdominale e mumies ishte mbushur me copa druri, tekstile nga liri dhe kanepi, dhe mbetje kimike si klorur zinku – një përbërje me efekt tharës dhe antibakterial. Sipas tyre, materiali është futur ndoshta përmes rektumit, pa e hapur trupin, një praktikë që nuk është përshkruar më parë në literaturën shkencore.

Analizat treguan gjithashtu se Sidler kishte një dietë cilësore me shumë mish dhe produkte drithërash, si dhe një jetë pa lodhje fizike, karakteristike për një prift rural.

Në fund të jetës, mund të ketë përjetuar mungesë ushqimi, ndoshta për shkak të Luftës së trashëgimisë austriake. Ai kishte qenë një duhanpirës afatgjatë dhe, sipas studiuesve, ka vdekur nga sëmundja kronike e tuberkulozit, jo nga helmimi siç mendohej më parë.

Në trup u gjet edhe një sferë e vogël qelqi, që mund të ketë qenë pjesë e një rruzare, e përfshirë rastësisht gjatë procesit të balsamosjes — kjo ishte objekti që skanimi me rreze X në vitet 2000 e kishte ngatërruar me një kapsulë helmi.

Trupi nuk kishte qenë kurrë i varrosur; dyshohet se ishte përgatitur për t’u dërguar në manastirin amë, por për arsye të panjohura mbeti përgjithmonë në kriptë.