Ballina Dossier Dëshmia në hetuesi e Hamit Myrtos, për “problemet” me UDB-në

Dëshmia në hetuesi e Hamit Myrtos, për “problemet” me UDB-në

32
0

Nga Dashnor Kaloçi

Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.

Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!

Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!

Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!

Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?

Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?

Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?

Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?

Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!

Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!

PROCES-VERBALET E MARRJES NË PYETJE TË HAMIT ARFIF MYRTJA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU MË DATAT 11 DHE 29 TETOR 1976

PROÇES-VERBAL

Në qytetin e Shkodrës, sot më datën 11.10.1976, unë Jake Tefiku, hetues në Degën e P. të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Hamit Arif Myrto.

Pyetje: Përveçse keni thënë në hetuesi, për çfarë tjetër u interesuan organet Jugosllave për gjendjen në Shqipëri?

Përgjigje: Siç kam thënë se kur kam shkue në Titograd në burg, pas pyetjes së parë më ka ardhur në burg atje ku isha, një person zeshkan që shpjegova dhe përveç atyre që kam thënë aty, ay u interesue e më pyeti se çfarë detyrash të ka dhënë Sigurimi Shqiptar, përse të ka nisur këtu në Jugosllavi, më bënë thirrje që t’u tregoja, këtë e përsëritën disa herë. Kur pashë se ata nuk u zinin besë fjalëve të mija, u thashë se unë nuk kam ardhur për të bërë spiunllëqe në Jugosllavi, unë nuk dijë gjuhë, nuk merrja familjen po të nisesha për këtë punë!

Bile më kujtohet se, nga që u mërzita nga pyetjet e tyre jo të rregullta, u thashë se nuk kam ardhur këtu për të tilla punë që mendoni ju, se gjithë familjen që atë e zhyta në liqen, por kam ardhur për shkaqet që kam treguar në thëniet e mija të mëparshme. Edhe për këtë ata shkruan në letër, por firmën nuk ma morën. Harrova t’u them se ata më thoshin kur më pyesnin, se na trego të vërtetën, po na tregove të vërtetën, do të bëjmë përpjekje të të mbajmë këtu, ti e ke vetën në dorë po të tregosh drejt. Ata më kërkoni t’u jepja atyre çdo gjë që dija. U thashë se përveç këtyre që kam dhënë, asgjë tjetër nuk kam dijeni. Kërkonin që unë të pranoja të jepja çdo gjë dhe të pranoja se mos isha i dërguar i Sigurimit me detyra.

Pyetje: Ju keni thënë në procesin tuaj se për disa ditë, keni ndenjur me një djalë që dinte shqip. Për çfarë interesohesh ay të dinte për vendin tonë?

Përgjigje: Ay interesohesh të dinte për shkakun e arratisjes sime në Jugosllavi. Fliste nga pak shqip, sipas tij se kishte frikë nga ana e organeve Jugosllave, se e kishte të ndalur të fliste shqipen. Për tjetër ai nuk u interesua dhe qëndronte në pritje për t’i thënë unë. Kur unë e pyeta atë djalin se pse e kishin futur në burg e, sa ishte dënuar, ay më tha se e kanë dënuar 30 ditë se ka pirë në klub dhe ka thyer shishet e birrës. Me këtë djalin kam qëndruar vetëm 16 ditë, pastaj më hoqën dhe më çuan në një dhomë tjetër të vetëm dhe nuk sollën njeri. Pra unë vetëm kam qëndruar gati 20 ditë. Ay djali më thoshte se shqipen e kishte mësuar se ishte shoqëruar me shqiptarë dhe prej tyre e kam mësuar.

Pyetje: Po pushkën që e kishte roja Fadil Rezija, ku e çuat?

Përgjigje: Pushkën atë natë që jam nisur për t’u arratisur në Jugosllavi, e kam pasur në lundër, deri në sahatin që lundra u mbyt, atë nuk e kam hedhur kur hodha sendet e teshat e tjera. Pushka ka qenë e shkurtër. Kur isha në Titograd, pyetësi i tretë ma tha se a është kjo lundra që ti ke ardhur me të e, të është mbytur. Unë pasi e pashë mirë e mirë, i thashë se po, kjo është. Ajo ishte nja 7 – 8 m. nga buza e tokës me ujë. Tjetër fotografi nuk më është paraqitur në asnjë vend në Jugosllavi. Pas dy ditësh të paraqitjes sime në Titograd, unë jam thirrur i paditur në gjyq. Unë shkova dhe u paraqitë i shoqëruar në gjyq me policë. Në krye të 16 ditëve me thirrën përsëri.

Më kërkuan mënyrën e arratisjes dhe kalimit tim në kufirin Jugosllav, se nuk kisha dokumenta dhe se kalimi aty ishte i paligjshëm e i ndaluar. Pasi dhashë shpjegimet, më dënuan me 15 ditë burg. Në krye të 16 ditëve më thirrën përsëri në gjyq dhe pa më pyetur më dënuan edhe 20 ditë dhe më dhanë një letër tjetër. Përkthyesi nuk ishte, kërkova përkthyesin, por ay nuk ishte, i thashë atyre policëve, por ata ngritën supet e, nuk më kuptonin dhe as unë nuk i kuptoja. Unë e mora letrën dhe kam shkuar në burg dhe aty kam gjetur një person në kohën e daljes në oborr e, ma lexoi dhe më tha se të kanë dënuar 20 ditë. Pasi e panë se ay bisedoi me mua, menjëherë e morën dhe nuk e lejuan më atë personin që më lexoi letrën mue.

Pyetje: Përveç Titogradit, a të kan çue gjetkë në ndonjë qytet tjetër? Sa mbante me makinë Ulqini nga Titogradi?

Përgjigje: Përveç Ulqinit dhe Titogradit, në asnjë vend tjetër nuk më kanë çue. Sa ë kujtohet mua dhe si e marrë unë me mënd, Ulqini prej Titogradit, mbante sa Shkodra në Tiranë. Për sa kohë unë qëndrova në Titograd, nuk më lëvizën në asnjë vend tjetër.

Pyetje: Gjatë pyetjes tënde prej organeve Jugosllave, a munde të mësoje se si quheshin dhe thirreshin ndonjëri prej atyre, ose përkthyesi?

Përgjigje: Unë nuk mund të mësoj emrat e tyre, pasi ata nuk thërrisnin me emër dhe bisedonin nashke.

Pyetje: Si e pritët ju vendimin e Këshillit të Ministrave, për uljen dhe harmonizimin e pagave të disa sektorëve?

Përgjigje: Unë e mësova në drejtorinë e ndërmarrjes e organizata bazë e partisë bëri mbledhjen e komunistëve dhe të disa peshkatarëve nga një e dy prej tyre dhe punuan vendimin e sipërm dhe u solidarizuan, ndërsa fjalën e peshkatarëve nuk e dëgjuan. Më vonë sekretari i byrosë tha në mbledhje se; a jeni dakord që të lajmëroj organet e partisë për solidarizimin tuaj me vendimin e qeverisë dhe të Partisë dhe neve thamë se jemi dakord.

Pyetje: A e keni dërguar ndonjëherë gruan në Kosmaç para se të arratiseshit, përse e dërguat, sa kohë qëndroi dhe kur është kthyer?

Përgjigje: Para një 10 ditësh se të arratiseshim në Jugosllavi, aty tek vjehrra ime kishte ardhur edhe tezja e saj prej Kosmaçi dhe aty qëndroi për disa ditë, pastaj e ftoi gruan time dhe vjehrrën që të shkonte në Kosmaç të qëndronin disa ditë. Gruaja ime Hasije më tha dhe unë i thashë shko. Ajo mori nënën e saj dhe shkoi. Qëndroi disa ditë aty dhe meqenëse po afroheshin ditët e marrjes së dezhurnit në ndërmarrje, kam shkue të shtunën dhe e kam marrë me taksi në Kosmaç dhe e kam sjellë në shtëpi, d.m.th., dy ditë para arratisjes time.

Procesin e lexova dhe e nënshkrova.

I pandehuri                                                                          Hetuesi

Hamit Myrto                                                                    Jake Tefiku

PROCES-VERBAL

Në qytetin e Shkodrës, sot më datën 29.10.1976, Unë Jake Tefiku, hetues në Degën e P. të Brendshme, mora në pyetje të p[pandehurin HAMIT ARIF MYRTO.

Pyetje: Çfarë shpjegimi mund të na jepni për përmbajtjen e letrës armiqësore që keni lënë në banesën tuaj?

Përgjigje: Përmbatjen e letrës time që kam lënë unë kam shkruar, tash nuk e kujtoj se çfarë kam shkruar, por di se kam shkruar keq për Partinë dhe pushtetin i shtyrë nga zemërimi që kisha nga ato shkaqe që unë kam thënë në proces-verbalin tim hetimor.

Pyetje: A është kjo letra që keni shkruar? (I tregohet letra)

Përgjigje: Po kjo është letra që unë kam shkruar dhe e kam lënë në banesën time kur jam arratisur në Jugosllavi, unë këtë letër e kam lënë në zarf të mbyllur, ndërsa në shpinë të zarfit kam shkruar adresën apo jo, këtë nuk e kujtoj.

Pyetje: Cili ka qenë qëllimi juaj në lënien e kësaj letre armiqësore?

Përgjigje: Të merrnin dijeni për arratisjen time dhe për shkaqet që më shtynë të bëja këtë veprim, d.m.th., që u arratisa.

Pyetje: Qysh kur keni biseduar ju me gruan tuaj për pakënaqësi dhe për të shkruar këtë letër armiqësore?

Përgjigje: Unë nuk jam në gjendje t’u them nëse mori dijeni gruaja ime, Hasije, për përmbajtjen e letrës, ajo din që vetëm unë kam shkruar diçka ato ditë që bisedonim për arratisje, por a e ka parë apo jo përmbajtjen e letrës, nuk jam në gjendje t’ju them.

Pyetje: Ju pyesim edhe njëherë, me çfarë mjeti e keni vrarë Fadil Rrezien?

Përgjigje: Ashtu siç kam thënë vetëm me qytën e pushkës dhe asgjë tjetër.

Pyetje: Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe akti mjeko-ligjor, në kufomën e Fadil Rrezies ekzistojnë plagë që janë kryer me mjet prerës, kurse qyta e pushkës nuk është mjet prerës, çfarë mund të na shpjegoni lidhur me këtë?

Përgjigje: Unë e kam thënë dhe po e përsëris, se Fadil Rrezian e kam godit vetëm me qytën e pushkës dhe me asnjë mjet tjetër.

Pyetje: Çfarë deponimi keni bërë ju para organeve Jugosllave, lidhur me vrasjen e Fadil Rrezies?

Përgjigje: Unë kam deponuar ashtu siç kam thënë këtu, d.m.th., se i propozova për të më lejuar për arratisje dhe Fadili nuk pranoi e më pengoi. Unë atëhere e kam qëlluar me qytën e pushkës, e lidha dhe u largova. Tjetër deponim nuk kam dhënë para organeve jugosllave.

Pyetje: Nga përmbajtja e vendimit të gjykatës së rrethit të Titogradit, e kryesisht në arsyetimin e tij thuhet se…. “Më datën 31 gusht 1976, rreth orës 23.00, i ka marrë jetën Fadil Rrezia, prej këtej ka grabit pushkën dhe me të i ka ra disa herë në pjesë të kokës…pastaj me thika i ka prerë kokën dhe pas kësaj kufomën e Fadilit e ka fashuar…”! A e keni bërë një deponim të tillë ju para organeve Jugosllave? Çfarë mund të depononi lidhur me këtë?

Përgjigje: Unë dhe para organeve Jugosllave, kam deponuar siç kam thënë në procesin tim hetimor. Nuk është e vërtetë që unë të kem deponuar para tyre se e kam therur Fadil Rrezien me thikë, i kam prerë kokën dhe e kam fshehur. Se si e kanë arsyetuar dhe në çfarë baze organet Jugosllave vendimin e tyre, unë nuk e di, se ata deponimet e mija i kanë marrë në gjuhën serbe, (nashke) kështu që unë nuk di e nuk më është përkthyer ky vendim në shqip, nga ana e përkthyesit që ishte caktuar për mua. Më kujtohet se atyre mund t’u kem thënë edhe për mendimin që unë e kisha propozimin tim para Fadilit, për të pranuar ay të lidhesh prej meje me qëllim justifikimi.

Pyetje: Kur u paraqitët në Nd/Peshkimit, ku e gjetët rojën Fadil, në cilin vend në hyrje të portës, apo në vendin ku qëndronte dezhurni i ndërmarrjes?

Përgjigje: Në fillim ky ka qenë para dezhurnit, më pas kur kam shkuar unë erdhi dhe ky dhe kemi shkuar para godinës së dezhurnit.

Pyetje: Ku ja shfaqe fillimisht vendimin që kishe marrë për arratisje, Fadilit?

Unë vendimin që kisha marrë për t’u arratisur në Jugosllavi, fillimisht ja shfaqa kur ishim te trupi i rojës, pas rregullimit të fëmijëve në korridorin e zyrave të ndërmarrjes, gruaja nuk ishte prezent, isha vetëm për vetëm me të. Fadili aty u nxeh dhe nuk e pranoi këtë propozim, dhe tha; unë të vras. Unë atëhere e mora me të mirë duke biseduar dhe kemi shkuar përpjetë, deri tek mani që është përpara zyrave të ndërmarrjes. Këtu unë i thashë Fadilit se unë kam vendosur që të arratisem patjetër në Jugosllavi, prandaj mos më pengo.

I thashë se ti për t’u justifikuar para organeve për arratisjen time, unë të të lidh dhe ty nuk të thonë asgjë. Mirëpo pasi Fadili më dëgjoi këto, përsëri refuzoi dhe nuk pranoi. Atëhere unë e kam gostitur ashtu siç kam thënë në procesin tim hetimor, me qytën e pushkës dhe jo me thika. Unë më para e kam goditur, e pastaj e kam lidhur. Kur e godita në fillim ka bërtit pakë, saqë nuk kishte mundësi për të dëgjuar, në rast se kalonte aty ndonjë kalimtar.

Pyetje: Nga mani, deri ku është gjetur kufoma e Fadilit, se e ndajnë disa metra, kush e çoi aty atë dhe në çfarë mënyre?

Përgjigje: Unë nuk jam në gjendje t’u them se kemi shkue vetë deri atje duke u grindur, apo e kam çue unë.

Pyetje: Në afërsi të trupit të rojës që qëndronte nëpunësi i rojës, është gjetur një çekan dhe një copë rrjetë nayloni si litar. Çfarë mund të na thoni lidhur me këto, kush dhe pse janë gjetur aty këto, a mos keni tentuar për ta lidhur viktimën Fadil në ato çaste?

Përgjigje: Jo, ato mund të më kenë rënë mua, në kohën kur kam nxjerrë paketën për të pirë cigare, fjalën e kam për rrjetën naylon, kurse çekanin e lashë aty se më vonë do të zbërthenim kasafortën e çelësave dhe me anën e këtyre të hapja drynat e lundrave.

Pyetje: Ju pyesim edhe njëherë, a ka marrë pjesë gruaja juaj në vrasjen e Fadilit?

Përgjigje: Nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Fadilit, ajo qëndroi në korridorin e zyrave bashkë me fëmijët e vegjël. Nuk mund ta merrja gruan në ndihmë time, se kisha frikë se tronditesh.

Pyetje: Kur e keni shitur shtëpinë që keni patur si pronën tuej dhe kujt?

Përgjigje: Shtëpinë unë kam tetë vjet që ja kam shitur një Dobraçasi që ishte i interesuar për ta blerë atë shtëpi. Në këtë kohë kisha një dhomë lart dhe një ahur poshtë. Shtëpinë e shita se nuk shkoja mirë me nënën, motrat dhe vëllanë, ata ma bënë jetën të padurueshëm, duke më rrahur mue dhe duke rrahur gruan time.

Pyetje: A keni ndonjë gjë tjetër për akuzën, ose ndonjë pretendim për zhvillimin e hetimeve? Ndonjë dëshmitar për të pyetur në sqarimin e çështjeve që pretendoni?

Përgjigje: Unë s’kam asgjë tjetër për të thënë, lidhur me akuzën dhe pretendimet e mija, ato janë shkruar drejt, unë kërkoj drejtësi mëshire. Dua të shtoj se unë jam shumë i penduar për këto që kam bërë, por tani është vonë.

Procesin e lexova dhe e nënshkrova. Memorie.al

I pandehuri                             I pranishëm                                    Hetuesi

Hamit A. Myrtja                       Ilo Note                                        Jake Tefiku