Ballina Politika Kreu i misionit të ODIHR për zgjedhjet vizitë në selinë e PD...

Kreu i misionit të ODIHR për zgjedhjet vizitë në selinë e PD në Durrës, Bylykbashi: Kërkuam vëzhgim ndërkombëtar në “zonat e nxehta”

43
0

Ambasadori Lamberto Zannier, shefi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve i ODIHR zhvilloi një takim në selinë e degës së Partisë Demokratike në Durrës.

Drejtuesi politik i PD në qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi u shpreh se Zannier treogi interes për zhvillimet e fushatës zgjedhore dhe problematikat e saj në Durrës.

“Zgjedhësit po reagojnë masivisht në mbështetje të programit të PD dhe kundër qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës në takimet derë më derë të kandidatëve të koalicionit PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Përdorimi masiv i shtetit në favor të PS, përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje dhe mbështetja e tij për përfshirjen e kandidatëve të caktuar në listën e PS, koordinimi mes PS dhe organizatave kriminale përmes individësh të caktuar nga kryeminstri, presionet mbi zgjedhësit dhe shitblerja e votës etj, iu parashtruan me fakte konkrete shefit te misionit të ODIHR. Asfalti elektoral, punësimet, dhënia e titujve të pronësisë në shkëmbim të votave, përdorimi shkollave, i ndërmarrjeve të shërbimit publik qendrore apo të bashkive si OSHEE dhe ujësjellës, etj, u faktuan konkretisht”, shkroi ai në Facebook.

Bylykbashi u shpreh më tej se PD informoi Zannier për “denoncimet konkrete por pandëshkueshmëria që prodhon mosveprimi i përsëritur i SPAK dhe prokurorisë si dhe roli aktiv i policisë në mbështetje të veprimeve të paligjëshme nga eksponentë të PS dhe të krimit kanë sjellë si rezultat që persona të dënuar me heqje lirie apo në kërkim, të jenë aktivë në terren në favor të PS nën mbrojtjen e mosveprimit të qëllimshëm të organeve ligjzbatuese”.

Ai shtoi se komunikoi me Zannier se “mosshtyrja e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit për shtetasit që votojnë në Shqipëri u shtrua si problem madhor në shkallë vendi duke rrezikuar që disa qindramijëra zgjedhës të pengohen për të votuar”.

Po ashtu sipas tij, përfaqësuesve të ODIHR iu referuan zonat e nxehta duke kërkuar vëzhgim të shtuar dhe kërkuam që KQZ dhe task forca e krijuar të veprojnë për të siguruar votim të qetë.