Ballina Editorial Pse Shqipëria ka nevojë ulëritëse për rishpërndarje

Pse Shqipëria ka nevojë ulëritëse për rishpërndarje

0
45

Klodian Tomorri

Shpalosja e një programi me karakter të thellë social e ka vënë Partinë Demokratike në qendër të një kritike të re. Për shumë nga anlistët e politikës, ky program është një zhvendosje e plotë nga boshti ideologjik i një partie të djathtë. Kjo është njëkohësisht e pasaktë, por fundja edhe e parëndësishme.

Avokatët më të mëdhenj të tezës së të ardhurave minimale të garantuara kanë qenë gjithmonë mendjet më brilante të së djathtës. Nga Friedrich Hayek dhe Milton Friedman dikur, e deri tek Greg Mankiw apo John Cochrane sot.

E megjithatë sic e thamë, ekskluziviteti ideologjik i minimumit jetik është fare i parëndësishëm për qytetarët. Debati i vërtetë për këtë çështje duhet të shtrohet në dy rrafshe. A ka Shqipëria nevojë për rishpërndarje dhe a është kjo një politikë e realizueshme? Në të dy rastet përgjigja është e qartë.

Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan që përfaqësohet sot në listën e miliarderëve të Forbes. Paralelisht ajo është vendi me shkallën më të lartë të varfërisë në rajon.

Vitin e kaluar 20.9 për qind e shqiptarëve kishin të ardhura ditore me pak se 6.85 dollarë në ditë sipas standardit të fuqisë blerëse, që është dhe linja zyrtare e varfërisë për ekonomitë e klasifikuara me të ardhura të mesme të larta. Mesatarja e vendeve të rajonit për këtë tregues është më pak se 12 për qind.

Pra, një ekonomi që prodhon njëkohësisht miliarderë për listën e Forbes dhe ushtri fukarenjsh ka nevojë ulëritëse për rishpërndarje. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Tjetra gjendet tek aksesi në shërbimet jetike. Merrni shërbimin shëndetësor për shembull.

Aktualisht shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 1.1 miliardë euro në vit për kurim. Nga këto, qeveria mbulon përmes buxhetit vetëm 520 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 580 milionë eurosh paguhen drejtëpërdrejtë nga xhepat e qytetarëve.

Shkalla e lartë e varfërisë e kombinuar me privimin e aksesit në shërbimet jetike është një miks toksik fatal për progresin human dhe ekonomik të një vendi. Pra, Shqipëria ka nevojë ulëritëse për rishpërndarje. Me kaq, debati për pyetjen e parë merr fund.

Tani, a është rishpërndarja një politikë e realizueshme?

Qeveria shqiptare pritet të shpenzojë këtë vit mbi 8.2 miliardë euro përmes buxhetit të shtetit. Nga këto 1.6 miliardë euro janë investime në projekte publike.

Tani, konsideroni vetëm dy shifra. Shqipëria investon mbi 6 për qind të PBB-së nga të ardhurat buxhetore. BE në vitin më të mirë arrin të investojë rreth 2.7 për qind. Dhe kjo nuk e tregon të gjithë historinë. Nëse llogariten dhe koncesionet, që financohen nga privatët, hendeku është shumë më i madh.

Sikur të mos prekte asgjë tjetër, Shqipëria mund të çlironte 500 milionë euro në vit për t’i përdorur në rrjetën sociale dhe të mbante njëkohësisht investime publike mbi 4 për qind e PBB-së.

Kritikët sërish do të thonë se ulja e investimeve publike do të ndrydhte rritjen ekonomike të vendit, aq më tepër kur nevojat për investime në infrastrukturë janë të mëdha. Por buxheti i shtetit nuk ka asnjë ndryshim nga ai i një familje.

Një familje mund të vendosë të investojë në bono, hapjen e një biznesi apo në pasuri të patundshme me idenë që të ketë një të ardhme më të mirë ekonomikisht. Por nëse paratë që ajo investon i kursen nga ndërprerja e shkollimit të fëmijëve, kequshqyerja e tyre apo mos kurimi i sëmundjeve të të moshuarve, të ardhmen e ka shkatërruar. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri dhe vazhdon prej më shumë se dy dekadash.

Pra paratë, që Shqipëria të garantojë minimum jetik për të gjithë qytetarët e saj janë aty. Ajo që mungon është vetëm vullneti politik. Sepse në fund të fundit, buxheti është çështje prioritetesh politike.

Dhe Edi Rama e ka thënë vetë që prioriteti politik i qeverisë së tij janë inceneratorët, AKSHI, dhe rrugët e shtrenjta, të cilat Shqipëria i ndërton me kosto disa herë më të lartë se vendet e zhvilluara. T’i lësh një maxhorance, gjysma e së cilës është ose në burg ose kandidate për aty, 1.6 miliardë euro për të shpenzuar në tendera nuk është asnjëherë ide e mirë.

Ndaj dallimi politik nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë. Shqiptarët këtë herë janë thirrur për të zgjedhur nëse duan që buxheti të kthehet nga qytetarët apo të vazhdojë të furnizojë fuqimisht oligarkinë korporative dhe krimin që ndan tenderat.