Ballina Kulturë Tezgjahu ndër zanatet që i ka mbijetuar globalizimit, i shton vlera turizmit...

Tezgjahu ndër zanatet që i ka mbijetuar globalizimit, i shton vlera turizmit në Gjirokastër

34
0

Prodhimet e artizanatit janë një vlerë e shtuar e ofertës turistike të vendit.

Pazari i Vjetër i Gjirokastrës, nuk ofron vetëm rrugët e kalldrëmta e ndërtesat mesjetare. Kjo pikë turistike që përbën zemrën e qytetit të vjetër, ofron edhe bukurinë e prodhimeve artizanale, një pjesë e të cilave prodhohen si dikur.

Një nga zanatet e traditës që vazhdojnë të mbijetojnë është tezgjahu. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër sjell shembullin e një punishteje modeste të artizanes Manushaqe Toto nga Lazarati.

Nga duart e saj realizohen e mbahen gjallë gjithë traditat e këtij fshati: nga petaniku, përgatitja e nënprodukteve të qumështit në dybek, qëndisja e kostumeve popullore dhe sidomos tezgjahu, një punë që Manushaqja e dashuron dhe e realizon me pasion e fanatizëm.

Kjo artizane është ndër të paktat gra që punojnë në tezgjah në qark dhe e vetmja në fshatin Lazarat, në një kohë kur modernizmi ka kapur çdo gjë. Manushaqja e ka mësuar punën në tezgjah nga gjyshja dhe mamaja e saj por me parë kjo punë nuk bëhej në “tezgjah” por në “veq” një formë e improvizuar me disa shkopinj të lidhur në hardhitë e rrushit, ku kryhej gjithë procesi.

Në pamjet e publikuara nga DRTK Gjirokastër, Manushaqe Toto rrëfen procesin, i cili fillon nga qethja e bagëtive, larja e leshit, krehja, tjerrja në furkë e më pas puna vazhdon në tezgjah për realizimin e qilimave, çantave, rrugicave dhe plafeve (çulleve) etj. /atsh/