Ballina Kulturë Shpalosje e një game të gjërë emocionesh

Shpalosje e një game të gjërë emocionesh

0
24

Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Me rastin e ekspozitës personale të Prof. Fatmir Krypa e cila kohë më parë është hapur në Galerinë e Arteve në Pejë. Autori i ekspozitës para dashamirëve të artit prezanton  pesëdhjetë grafika nga ciklet më të hershme e deri në këto të fundit.

Në majin e vitit 2025, Galeria e Arteve në Pejë do të bëhet sërish qendër e frymëzimit dhe emocioneve artistike, përmes ekspozitës personale të njërit prej grafistëve më të shquar shqiptarë, Prof. Fatmir Krypa. Me një aktivitet krijues që përfshin më shumë se gjashtë dekada, Krypa do të paraqitet para publikut artdashës me disa cikële veprash nga opusi i tij i gjerë artistik, që mishërojnë thelbin e identitetit kombëtar, kujtesës historike dhe rezistencës shpirtërore.

Lidhja e Fatmir Krypës me Pejën është e hershme dhe e ngulitur thellë në formimin e tij si artist. Pikërisht këtu, në Shkollën e Mesme të Arteve të themeluar në vitin 1949. Kjo shkollë, e njohur si një nga tre institucionet më të rëndësishme të arsimit artistik në ish-Jugosllavi, ishte vatër e një tradite të pasur që rriti breza të tërë artistësh të cilët, më vonë, me studime të avancuara në qendrat kryesore evropiane, sollën frymë të re dhe lëvizje të ndryshme artistike në artin figurativ dhe aplikativ shqiptar.

Prof. Fatmir Krypa përfaqëson pikërisht atë brez të artë të krijuesve të parë të grafikës moderne në Kosovë, të cilët me përkushtim të palëkundur ndërtuan themelet e një tradite të re artistike. Në fushën e grafikës, ai ka zhvilluar një gjuhë të veçantë vizuale, të pasur në teknikë dhe të thellë në përmbajtje. Veprat e tij dallohen për një ndërthurje të mjeshtërisë teknike me ndjeshmëri të hollë ndaj temave kombëtare, duke reflektuar një rrëfim të pandërprerë mbi historinë, natyrën dhe shpirtin shqiptar.

Fryma e trungut të lashtë: Ekspozita personale e Prof. Fatmir Krypës në Pejë

Ekspozita në Pejë do të paraqesë një përzgjedhje të fletëgrafikave që shpalosin një gamë të gjerë emocionesh dhe reflektimesh. Ndër më të spikaturat janë punimet si “Trungu i lashtë Ilir”, “Bashkimi i trungut Ilir”, “Shkëmbinjtë e bashkuar”, si dhe ciklet më të reja të krijuara në vitin 2024, si “Shkëmbinjve”, “Zogu në kërkim të folesë”, “Zogjtë në kërkim të folesë”, “Malësori dhe qëndresa”, “Covid 19” dhe “Kulla Çame e braktisur”. Në këto punë, artisti zhvillon një narrativë vizuale ku natyra dhe njeriu janë në dialog të përhershëm, ku shkëmbinjtë, trungjet dhe zogjtë simbolizojnë qëndresën, vazhdimësinë dhe kërkimin e përjetshëm për rrënjë dhe strehë.

Në veprat që trajtojnë motivin e trungut, Krypa i kthehet rrënjëve të identitetit ilir, duke e parë trungun si një metaforë të qartë për qëndrueshmërinë historike dhe për lidhjen e pandërprerë të kombit me tokën dhe të kaluarën e tij. Shkëmbinjtë e bashkuar, nga ana tjetër, paraqesin idealin e unitetit dhe të fortifikimit shpirtëror përballë sfidave. Simbolika e fortë natyrore, e realizuar përmes një teknike të përsosur të akuatinës dhe bakërshkrimit, jep ndjesinë e një qëndrueshmërie monumentale përballë erozionit të kohës.

Në një cikël tjetër emocionalisht të fuqishëm, ai sjell imazhin e zogjve në kërkim të folesë, si reflektim mbi humbjen, mërgimin dhe nevojën e përhershme për të gjetur vendin e përkatësisë. Ky motiv pasqyron jo vetëm krizën individuale të njeriut bashkëkohor, por edhe përjetimet kolektive të popullit shqiptar në përballje me sfidat historike. Grafikat e realizuara në kohën e pandemisë së Covid-19 shtojnë një dimension të ri në krijimtarinë e Krypës: një përsiatje mbi pasiguritë globale, frikën ekzistenciale dhe nevojën për bashkëjetesë e solidaritet.

Në mënyrë të ngjashme, motivet e kullave dhe të malësorëve, të shfaqura në disa nga fletëgrafikat e kësaj ekspozite, mbajnë të gjallë kujtesën e një kulture heroike që qëndron përtej kohës. Kulla e braktisur e Çamërisë, për shembull, është një kujtesë vizuale e dramave historike të shpërnguljeve dhe braktisjes së rrënjëve, ndërsa figura e malësorit në sfondin e shkëmbinjve të palëkundur mbetet një metaforë e qartë e rezistencës shpirtërore dhe krenarisë kombëtare.

Stili i Fatmir Krypës është një bashkim i natyrshëm i realizmit me elemente të subtilitetit abstrakt, ku çdo formë dhe çdo ngjyrë ka një funksion të qartë komunikues. Përmes teknikës së lartë të gravurës, ai arrin të ndërtojë kompozime që jo vetëm tërheqin syrin me estetikën e tyre, por edhe thërrasin mendimin, duke ftuar shikuesin në një dialog të heshtur mbi identitetin, kujtesën dhe sfidat e përjetshme të ekzistencës.

Ekspozita e Fatmir Krypës në Pejë nuk është thjesht një paraqitje e punëve më të fundit të një artisti të njohur; ajo është një reflektim i thellë mbi rrugëtimin e një populli dhe mbi rolin e artit në ruajtjen dhe ripërtëritjen e shpirtit kombëtar. Nëpërmjet fletëgrafikave të tij, Krypa na kujton se arti është një akt i kujtesës, një formë qëndrese dhe një thirrje për të mos harruar kurrë prej nga vijmë.